Situata e fundit e krijuar me vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe nuk po kalon pa u komentuar edhe nga mediat ndërkombëtare.
Prestigjozja amerikane “Washington Post”, i ka kushtuar një artikull vizitave të fundit të zyrtarëve amerikanë në Kosovë.
“I dërguari i SHBA-ve vizitë në Kosovë për heqjen e taksës”, titullohet ky artikull i “Washington Post” në të cilin thuhet se David Hale është zyrtari i fundit amerikan që qëndroi në Kosovë për të njëjtën çështje.
“Hale ripërsëriti qëndrimin se SHBA-të dhe shtetet perëndimore do të përkrahin çfarëdo marrëveshje të arritur mes palëve”, shkruan Washington Post.
Duke cituar deklaratat e fundit të Haradinajt, “Washington Post” shkruan se kryeministri u ka rezistuar thirrjeve të SHBA-ve për heqjen e taksës, dhe se këtë do të bëjë vetëm kur Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.
“Që nga 2011, dy vendet e ish-Jugosllavisë i kanë hyrë dialogut, në përpjekje të zgjidhjes së konfliktit të gjatë. Brukseli ua ka bërë me dije të dy vendeve se duhet t’i normalizojnë raportet e tyre para anëtarësimit në bllok”, shkruan më tej Washington Post.
Në lidhje me vizitat e zyrtarëve amerikanë kanë raportuar edhe mediat tjera botërore, duke përfshirë edhe agjencinë e lajmeve “Associated Press”.