Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, deklaroi të premten se Serbia është duke i shkelur hapur konventat e UNESCO-s duke mos ia kthyer Kosovës 1247 eksponate.
Në një postim në Facebook, ai prezantoi disa nga thesaret e vjedhura arkeologjike dhe etnografike që i përkasin koleksionit muzeor publik të Republikës së Kosovës.
Çeku tha se këto eksponate të koleksionit muzeor publik të Kosovës janë marrë gjatë luftës nga Akademia Serbe e Shkencave.
“1247 eksponate të koleksionit muzeor publik të Kosovës janë marrë nga Muzeu Kombëtar i Kosovës gjatë kohës së luftës (1998-99) nga Akademia Serbe e Shkencave. Ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë kundër historisë dhe identitetit të shqiptarëve, së bashku me shkatërrimin e mbi 1000 objekteve të trashëgimisë”.
“Duke mos i kthyer eksponatet në vendin e tyre të origjinës, Serbia po shkel hapur konventat e UNESCO-s, marrëveshjen origjinale dhe dokumentin e Ahtisaarit”, ka shkruar ai.
Ndryshe, ministri në një konferencë për media pati bërë të ditur se Komisioni Shtetëror për Dokumentimin e Shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës gjatë periudhës së luftës, tashmë ka hyrë në fazën finale të punës së tij.
“Databaza e cila është duke u populluar me monumentet e shkatërruara gjatë luftës ka kaluar numrin një mijë të aseteve të shkatërruara në mënyrë të qëllimshme nga forcat serbe”, ka thënë Çeku para mediave, raporton Telegrafi.