Riccardo Calafiori ka zhvilluar një ndeshje perfekte në debutimin e tij në një Kampionat Evropian me fanellën e Italisë.
Qendërmbrojtësi i talentuar befasoi të gjithë kur e nisi ndeshjen nga minuta e parë, por pastaj në fushë ishte më i miri duke qenë i pagabueshëm në mbrojtje.
Trajneri legjendar italian, Fabio Capello e ka lavdëruar paraqitjen e mbrojtësit, derisa ka thënë se ai e sheh atë si një Sergio Ramos, me spanjollin që ishte transformuar nga mbrojtës krahu në qendër të mbrojtjes.
“Calafiori ma kujton një djalë të ri Sergio Ramos që e kam trajnuar në Madrid në sezonin 2006-07. Sergio gjithashtu kaloi nga mbrojtës krahu në qendërmbrojtës”, kujton Capello.
“Calafiori më bëri përshtypje personaliteti i tij i treguar në Dortmund. Ai nuk dukej si debutues në një Evropian dhe pothuajse ishte fillestar me fanellën e Italisë”.
“Paraqitja e tij ndaj Shqipërisë më ka impresionuar dhe ai ka cilësi për tu bërë një mbrojtës i madh”, ka deklaruar Capello për La Gazzetta dello Sport.
22-vjeçari është prodhim i Akademisë së Romës, derisa iu bashkua Bolognës dhe nga një mbrojtës i majtë është rikthyer në qendër të mbrojtjes.
Mbrojtësi italian pritet të largohet nga Bologna në verë, pasi Roma, Juventus dhe Chelsea janë vënë pas tij. /Telegrafi/