Fabio Capello mendon se Juventusi duhet të nënshkruajë sulmuesin anësor në pronësi të Manchester United, Mason Greenwood dhe tre lojtarë të tjerë për të mbyllur diferencën me Interin dhe për të qenë në garën për titull sezonin e ardhshëm.
Ish-trajneri italian ka këshilluar ish-klubin e tij, të nënshkruajë me Greenwood nga Manchester United dhe tre lojtarë të tjerë në mënyrë që të bëhen sërish pretendentë për titull në sezonin 2024/25.
Capello mendon se drejtori i Juventusit, Giuntoli duhet të synojë lojtarë të rinj dhe të lirë, duke qenë se Bianconerët nuk do të kenë të njëjtin buxhet me klubet kryesore evropiane si Real Madrid, Bayern Munich, PSG dhe gjigantët e Ligës Premier.
“Juventusit do t’i duhen të paktën katër nënshkrime cilësore për të rivalizuar Interin në garën për titull sezonin e ardhshëm”, ka thënë fillimisht Capello për Gazzetta dello Sport.
La #primapagina della Gazzetta di oggi
PASSI O CHIUDI pic.twitter.com/PHyB1x9n0s— La Gazzetta dello Sport (@Gazzetta_it) April 16, 2024
“Juventusi ka nevojë për cilësi në qendër për t’iu afruar Interit. Juventusi do të kishte nevojë për një nga mesfushorët e Inzaghit. Ka shumë zhurmë rreth Koopmeiners dhe ai do të ishte një përforcim i mirë, por ai nuk do të mjaftonte, veçanërisht nëse Rabiot largohej”.
“Juventusi tashmë ka një talent të madh. Më pëlqen Yildiz, ai ka dëshmuar se ka personalitetin e kërkuar në një top klub”.
Capello vuri në dukje se Real Madridi nënshkroi lojtarët e rinj më të mirë në botë, “por investoi 50 milionë euro, 80 milionë apo edhe 100 milionë euro”, dhe Bianconerët duhet të miratojnë një strategji tjetër.
“Kam dëgjuar për Greenwood. Një talent i Manchester United, i cili është prekur nga çështjet personale, por duket i rilindur te Getafe. Nuk ka asnjë dyshim për cilësitë e tij”.
“Calafiori duket gjithashtu interesant, por unë jam mësuar të shoh një Juventus që mban lojtarët e tyre më të mirë. Unë nuk do të shisja Bremer, Chiesa apo Vlahovic. Unë do të shtoja vetëm lojtarë cilësorë. Më pëlqen shumë Ferguson i Bolognas”, përfundoi 77-vjeçari italian.
Juventusi aktualisht ndodhet në vendin e tretë në tabelën e Serie A, gjashtë pikë poshtë Milanit dhe 20 më pak se Interi. Ndeshja e tyre e radhës në Serie A është kundër Cagliarit të premten, më 19 prill. /Telegrafi/