Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet G.G., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas një njoftimi nga Prokuroria bëhet e ditur se i dyshuari ka kanosur gruan e tij dhe vëllain e saj se do t’i privojë nga jeta.
“Sipas pikës I të dispozitivit të kërkesës, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet G.G., me datë 26.02.2025, rreth orës 13:00 në rr. “I.G.” në Gjakovë saktësisht në shtëpinë e tij, seriozisht dhe me armë AK 47 e kanos të dëmtuarën bashkëshorten e tij E.G., dhe të dëmtuarin I.H., i cili është vëllai i bashkëshortes së tij se do t’i privojë nga jeta, në atë mënyrë që ditën kritike derisa kishin qenë duke ndenjur në sallon midis tyre nis një mosmarrëveshje me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij E.G., për shkaqe xhelozie”.
Tutje thuhet se këto veprime formojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Kanosja”.
“Sipas pikës II të dispozitivit të kërkesës, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet G.G., me datë 26.02.2025 rreth orës 13:00 në rr. ‘I.G.’ në Gjakovë saktësisht në shtëpinë e tij, me dashje dhe me mjet të rrezikshëm (thikë) me të cilin mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor ose dëmtim të rend të shëndetit ushtron keqtrajtimin fizik, me qëllim që t’i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër dhe atë viktimës së ndjeshme – bashkëshortes së tij E.G., me ç‘rast të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore të përshkruara sipas raportit mjekësor të lëshuar nga Spitali Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë”, thuhet në njoftim.
Këto veprime formojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’ nga neni 185 prg.3 nënprg.3.2 lidhur me prg.2 dhe prg.1 të KPRK- së.
Sipas pikës III të dispozitivit të kërkesës, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet G.G., nga koha e pavërtetuar e deri më datë 26.02.2025 në rr. ‘I.G.’ në Gjakovë, saktësisht në shtëpinë e tij, pa autorizim ka mbajtur në posedim armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët nr.05/L-022.
Këto veprime formojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Telegrafi/