Njohësi i punës së Kuvendit të Kosovës, Eugen Cakolli, ka reaguar pas vendimit që ky institucion shtetëror ka ndërmarrë duke ua kufizuar punën mediave.
Në ballkonin ku qëndrojnë mediat në hapësirat e Kuvendit është vendosur një shirit i zi, duke i zhvendosur mbrapa gazetarët, kameramanët dhe fotografët të cilët e përcjellin punën në këtë institucion.
E Cakolli në reagimin e tij ka thënë se nuk ka asnjë arsye “sigurie për një vendim të tillë.
Sipas tij, kufizimi i pamjeve të plota në raport me të gjithë deputetët është kufizim i mundësisë së informimit të publikut mbi zhvillimet në Kuvend, përtej atyre që na ofron regjia e Kuvendit.
“Përplasu deputetët e kabineti qeveritar mes veti, e kufizo mediat për ‘shkaqe sigurie’ – nuk shkon!”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Kjo vendim i Kuvendit sipas mediave e ka vështirësuar punën e tyre për të raportuar tek qytetarët, prandaj vendosën që të bojkotojnë dy seancat e jashtëzakonshme të mbajtura këtë të enjte.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka kundërshtuar fuqishëm këtë vendim, që sipas tyre, ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi. /Telegrafi/