Trajneri i Malishevës, Bylbyl Sokoli ka mbetur i kënaqur me barazimin ndaj Ballkanit në ndeshjen e javës së 28-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Malisheva arriti ta bëjë një rikthim të madh duke barazuar në minutat e fundit 2-2, përkundër se Ballkani kishte një epërsi komode 2-0.
Ky reagim i lojtarëve dhe angazhimi i ka pëlqyer trajnerit të malishevasve, Bylbyl Sokolit, i cili e ka cilësuar si të rëndësishëm pikën e marrë në Suharekë.
“Më shumë se pika e fituar, jam i kënaqur me angazhimin, por jo edhe me golat që i pësojmë”, ka thënë fillimisht Sokoli pas ndeshjes.
“Djemtë dhanë maksimumin dhe kjo më kënaq mua. I shfrytëzuam dy raste dhe fituam një pikë të madhe, të rëndësishme në garën për mbijetesë”.
“Në përgjithësi angazhimi ishte maksimal dhe kjo ndeshje me kundërshtar të fortë na shërben për të parë gabimet”.
“Na mbetet punë e madhe dhe të shohim se si do t’ia dalim”, përfundoi trajneri i Malishevës. /Telegrafi/