Site icon Telegrafi

Buleshkaj: Agjencia Kundër Korrupsionit nuk mund të hetojë pasurinë e zyrtarëve jashtë Kosovës

Shefi i Kundër Korrupsionit (AAK), Yll Buleshkaj thotë se agjencia ka trajtuar raste të korrupsionit të nivelit të lartë.

Sipas Buleshkajt, AKK-ja nuk mund të hetojë pasurinë e zyrtarëve jashtë Kosovës por se janë duke punuar në ngritjen e kapaciteteve për verifikimin e këtyre rasteve.

“Pasuria e zyrtarëve të lartë jashtë kufijve të vendit është trend rajonal. Mandati aktual është vetëm brenda Kosovës. Ne kemi marrëdhënie të mira me agjencitë e tjera nga rajoni. Por pasuria më e madhe po besojmë është në Shqipëri dhe Serbi”, thotë Buleshkaj për Radio Kosovën.

“Është një traktat rajonal që do të përdoret për verifikim të pasurisë, i cili është në proces të shqyrtimit për ta nënshkruar edhe Kosova, për të aderuar në këtë traktat. Ne jemi duke i zhvilluar kapacitetet e verifikimit për aq sa mundemi, me burimet aktuale të cilat nuk janë edhe aq të kënaqshme”, shton ai.

Ai shton se nuk ka pasur ndërhyrje të politikës në AKK.

“Ne kemi treguar që ndikimi në punën tonë është i pamundshëm. Ne kemi trajtuar raste të pozitës e opozitës e deri te niveli i zëvendëskryeministrit dhe kjo tregon se sa të paanshëm jemi në punën tonë . Nuk po them që nuk kanë qenë edhe te të tjerët”, thekson Buleshkaj.

“Ajo që më bën të ndihem mirë është se deri tash nuk ka pasur tentim ndikimi të politikës tek agjencia. Pra, ne jemi të pavarur dhe nuk ka pasur tendencë për ndërhyrje”, përfundon ai. /Telegrafi/

Exit mobile version