Site icon Telegrafi

Buffon: Juventusi humbi unitetin e skuadrës me Ronaldon

Gigi Buffon beson se ardhja e Cristiano Ronaldos në Juventus përfundimisht doli e dëmshme, veçanërisht në Ligën e Kampionëve, pasi sipas tij skuadra humbi ADN-në e të qenit ekip.

Portieri aktualisht është kthyer në Serie B me klubin e tij të parë Parma dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet ende nga futbolli.

Ai foli për TUDN.com për situatën e tij në Stadio Tardini dhe të ardhmen në Meksikë ose Shtetet e Bashkuara.

Buffon komentoi edhe efektin që CR7 pati te Juventusi, mbi të gjitha pas rikthimit të yllit portugez te Manchester United.

“Juve kishte shansin për të fituar Ligën e Kampionëve vitin e parë që ai mbërriti, që ishte viti kur isha në Paris Saint-Germain, dhe nuk mund ta kuptoja se çfarë ndodhi”.

“Kur u ktheva, punova me CR7 për dy vjet dhe dolëm mirë së bashku, por mendoj se Juve e humbi ADN-në e të qenit një ekip”.

“Ne arritëm në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2017, sepse ishim një skuadër plot përvojë, por mbi të gjitha ishim një njësi e vetme dhe kishte garë për një vend brenda grupit që ishte shumë e fortë. Ne e humbëm atë me Ronaldon”, deklaroi Buffon.

Statistikat tregojnë se pasi pavarësisht largimit në verë te Manchester United, Ronaldo është ende golashënuesi më i mirë i Juventusit për vitin kalendarik 2021 me 20 gola në të gjitha garat.

Nuk është hera e parë që lojtarët e Juventusit thonë se prania e Ronaldos e përqendroi të gjithë vëmendjen e tyre për t’i dhënë atij shërbimin, me Leonardo Bonucci dhe Giorgio Chiellini që gjithashtu kishin thënë të njëjtë gjë. /Telegrafi/

Exit mobile version