Kreu i inteligjencës ushtarake ukrainas Kyrylo Budanov ka deklaruar se Rusia dëshiron të fitojë luftën kundër Ukrainës deri në fund të vitit 2025 apo në fillim të 2026, pasi që më vonë do të ballafaqohet me probleme serioze ekonomike nga vera e vitit të ardhshëm dhe do të ketë nevojë për mobilizim për më shumë trupa.
Këto komente Budanov i bëri në takimin e Yalta që është mbajtur në Kiev, transmeton Telegrafi.
“2025, fundi i vitit 2025 dhe fillimi i vitit 2026, është një kohë vendimtare për ta. Kështu që ata duan t’i japin fund gjithë kësaj [luftës] deri atëherë. Sepse sipas llogaritjeve të tyre, nëse nuk dalin nga kjo luftë duke e konsideruar veten fitimtare, në terma afatgjatë – brenda 30 viteve të ardhshme – Federata Ruse do të humbë statusin e superfuqisë që ata aspirojnë”.
Sipas Budanov, Rusia parashikon se “të gjitha problemet e tyre do të fillojnë në verën e vitit 2025”, pasi faktorët financiarë dhe ekonomikë dhe faktorët socio-politikë do të bashkohen atëherë.
“Ata po parashikojnë që ndikimi negativ në ekonominë e tyre do të fillojë të jetë shumë i dukshëm rreth verës së vitit 2025”, shtoi kreu i inteligjencës ushtarake.
Budanov thotë gjithashtu se çështja e rekrutimit në ushtri po bëhet gjithnjë e problematike në Rusi.
“Ata do të përballen me një dilemë gjatë kësaj periudhe ose të shpallin mobilizimin ose të zvogëlojnë disi intensitetin e armiqësive, të cilat në fund mund të jenë kritike për ta”, shtoi ai.
Shefi i inteligjencës shtoi se disponimi publik në Rusi është ndikuar gjithashtu nga përpjekjet e Ukrainës për të zhvendosur luftimet thellë në territorin rus.
Duke iu referuar dokumenteve ruse, Budanov vuri në dukje se nëse Rusia nuk fiton, deri në fund të vitit 2025 do të mbeten vetëm dy superfuqi në botë – SHBA dhe Kina – dhe nuk do të ketë vend për Rusinë.
“Ata janë të vetëdijshëm për këtë. Kjo është një periudhë kyçe për ta. Kështu që ata do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të fituar, siç e kuptojnë. Përndryshe, ata do të braktisin absolutisht të gjitha proceset globale. Gjithçka ku mund të mbështeten është lidershipi rajonal dhe ata nuk janë të kënaqur me këtë”, tha për fund. /Telegrafi/