Site icon Telegrafi

BSPK vendos që më 12 maj të mbajë grevë në gjithë sektorin publik, më 20 maj protestë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK) njofton ka vendosur që më datën 12 maj të mbahet grevë një orëshe për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, në shenjë pakënaqësie për mospërfilljen e kërkesës për 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për Pagat.

Pas takimit me sindikatat, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka njoftuar se më datën 20 maj do të mbahet protestë.

“BSPK ka vendosur që krahas që është hapur një tunel i dialogut social me institucionet tona, më datën 12 maj, kemi vendosur që të fillojmë me një grevë një orëshe për gjithë të punësuarit e Kosovës dhe protestë më datën 20 maj”, ka thënë Hykolli.

Në anën tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka njoftuar se pas grevës e protestës, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, do të mbahet grevë e përgjithshme.

“Sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor dhe sektorët tjerë. Po i japim hapësirë dialogut, e ky veprim do të shihet më 12 maj, me grevën një orëshe dhe protestën më 20 maj që besoj se do të jetë madhështore”, ka deklaruar Jasharaj.

Kujtojmë se rritja e pagave, zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale janë disa nga kërkesat tjera të sindikatave. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version