Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) njofton se qëndrojnë fuqishëm pas kërkesave sindikale dhe se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për intensifikimin e veprimeve te duhura në të mirë të ngritjes së mirëqenies ekonomike, sociale dhe shëndetësore të të punësuarve.
Me anë të një reagimi publik, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka theksuar se do të vazhdojë me artikulimin e kërkesave në të gjitha format e lejuara me ligj.
“Duhet të dihet se vlera e pagës minimale është vlerë që llogaritet dhe nuk është punë dëshirash, e në Këshillin Ekonomiko-Social (KES) vepron Komisioni Profesional Trepalësh për Paga, Çmime dhe Pensione, i cili e ka për detyrë të shqyrtojë dhe të ofrojë rekomandime për çështje të cilat janë kompetencë e tyre në takimet e KES-it dhe të organeve të tjera qeveritare, me qëllim të orientimit dhe të zbatimit të politikave shtetërore në fushat të cilat i mbulon”, thuhet në reagimin e Hykollit.
Ai thekson se votimi i pagës minimale prej 264 euro nga Qeveria e Kosovës nuk kishte marr miratimin e KES-it.
“Sindikatat e kanë mandatin që ia jep Ligji, të përfaqësojnë interesat e sindikalistëve. Në Takimin e fundit të KES-it, më 10 mars, në votim u hodhën dy propozime për vlerën e Pagës minimale – 264 euro dhe 300 euro dhe asnjëri nga këto propozime nuk mori vota e duhura – 2/3 e votave. Dhe sot kemi një pagë minimale e cila është hedh në votim në mbledhjen e fundit të KES-it por nuk ka marrë votat e duhura”, shtoi ai.
Mes tjerash, Hykolli deklaroi se, “KES-i do të vazhdojë me punën rreth përcaktimit të pagës minimale edhe për vitin 2023, që do të mundësojë propozimin e pagës minimale më të lartë se në vitin që jemi, vitin 2022”. /Telegrafi/