Ministri britanik i mbrojtjes, John Healey, do të udhëheqë të mërkurën takimin e aleatëve të Kievit në kuadër të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), duke e marrë këtë rol nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi sot Ministria britanike e Mbrojtjes.
Takimi është planifikuar para samitit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, por ky grup, i njohur gjithashtu si formati Ramstein, është shumë më i madhe dhe përfshin mbi 50 aleatë.
Ky format koordinon detajet e ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë gjithçka, nga trajnimi i pilotëve të avionëve luftarakë deri te siguria kibernetike, shkruan politico.
Muajin e kaluar, takimin e 25-të të formatit Ramstein e udhëhoqi ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, vetëm disa ditë para se presidenti Donald Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
“UDCG do të mblidhet para takimit ministror të NATO-s për mbrojtjen për të diskutuar prioritetet për Ukrainën, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bashkëpunojë për të ofruar mbështetje në luftën e saj kundër pushtimit të paligjshëm të Putinit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë britanike të Mbrojtjes.
Mbretëria e Bashkuar është një nga mbështetëset më të mëdha të Ukrainës, me qeveritë e njëpasnjëshme që kanë siguruar miliarda euro ndihmë ushtarake për Kievin, duke trajnuar gjithashtu mijëra ushtarë. Qëndrimi i administratës Trump ndaj UDCG mbetet ende i paqartë, dhe ende nuk dihet nëse Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të udhëheqë edhe pas së mërkurës. /Telegrafi/