Përzgjedhësi i Brazilit, Tite, ka marrë një sërë lajmesh të këqija sot pas fitores kundër Serbisë me rezultat 2-0, ku kryesori sigurisht është se Neymar do të mungojë në dy ndeshjet e mbetura të fazës së grupeve.
Yll i ekipit do të mungojë sigurt kundër Zvicrës dhe Kamerunit për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës.
Tite nuk do ta ketë në dispozicion as mbrojtësin e djathtë, Danilon, për këto ndeshje, ndërkohë mediat braziliane shkruajnë edhe për probleme të reja.
Përkatësisht, sulmuesi i Manchester United, Antony nuk ka stërvitur me skuadrën për shkak të gripit dhe me gjasë nuk do të jetë në dispozicion për Zvicrën të hënën.
Po ashtu Lucas Paqueta dhe Alisson janë të dyshimtë për ndeshjen ndaj helvetëve.
Mediat braziliane tashmë kanë vlerësuar se cilët do të jenë zëvendësuesit e futbollistëve që nuk do të jenë të pranishëm.
Gabriel Jesus me shumë gjasë do të zëvendësojë Neymarin, ndërsa 39-vjeçari Dani Alves do të luajë në vend të Danilos. Rodrygo do të mbetet zëvendësues, por do të jetë i pari në listës pas mungesës së Antonyt.
Për pozitën e sulmuesit të parë do të garojë edhe Gabriel Martinelli i Arsenal.
Kujtojmë se Brazili dhe Zvicra kanë nga tre pikë pas xhiros së parë, dy ekipet tjera të këtij grupi, Kameruni dhe Serbia, nuk kanë pikë. /Telegrafi/