Në vitin e ardhshëm do të duhej ta festonte 100 vjetorin e themelimit, por klubi i futbollit Besa po kalon momentet më të vështirë në 99 vjetorin e ekzistencës.
Ekipi i dytë më i trofeshëm në vend, tash e disa vite po përballet me probleme organizative e duket që kulminacioni ka arritur këtë vit.
Tre herë kampionët e Kosovës, në edicionin e kaluar nuk arritën të sigurojnë mbijetesën në Ligën e Parë, duke zbritur në rangun e tretë të garave.
Kjo si dhe akumulimi i disa problemeve të mëhershme ka shkaktuar kaos total, të cilëve i është bllokuar afati kalimtar me ç’rast nuk kanë as lojtarë të mjaftueshëm që të marrin pjesën në gara, në Ligën e Dytë.
Klubi me të cilin dikur mburrej i tërë Rrafshi i Dukagjinit, ka mbetur në mëshirën e fatit, dhe atë as gjashtë muaj para festimit të 100 vjetorit të klubit.
Në ndërkohë ekipi i kadetëve dhe juniorëve të Besës do t’i vazhdojnë garat, pasi që të dyja janë pjesë e Superligës së Kosovës. /RTV Dukagjini/