Site icon Telegrafi

Borovci: Jam i bindur në pafajësinë e Salih Mustafës

Dëshmitari i katërt i mbrojtjes, Hazir Borovci gjatë dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë se është i bindur në pafajësinë e Salih Mustafës.

Ai ka thënë se Mustafën e ka takuar për herë të parë në fillim të prillit 1999 në fshatin Butovc dhe sipas tij bashkë i ka lidhur puna për çlirimin e Kosovës dhe organizimi i ndihmave për civilët shqiptarë.

Para trupit gjykues, Borovci ka thënë se që nga koha e luftës, Salih Mustafën e konsideron mik.

“Kur e kam njohur dhe e kam ditur veprimtarinë e tij, që nga takimi në Butovc, sot e konsideroj dhe e kam shok, për shkak se na lidhte puna e përbashkët për lirinë e vendit, na lidhte puna për çlirimin e Kosovës, na lidhte edhe karakteri tjetër që ishte shumë fuqishëm i shprehur, karakteri human, ndihma popullatës civile”, ka thënë ai.

Borovci ka thënë se luta e UÇK-së ishte e pastër dhe është shprehur i bindur që Salih Mustafa është i pafajshëm.

“Pastërtinë, të drejtën e UCK-së e ka dëshmuar edhe 24 marsi, NATO, kurse unë personalisht kam bindje që do ta ndihmoj të drejtën, drejtësinë, do ta ndihmoj çlirimtarin, shokun, mikun, kjo është bindja ime dhe jam i bindur në pafajësinë e të akuzuarit, dhe jam i bindur në trupin gjykues, që nuk kërkoj mëshirë, por kërkoj drejtësi, dhe jam i bindur që në fund do të triumfojë drejtësia, e drejta dhe e vërteta”, ka thënë Borovci.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Borovci ka thënë se ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes njësisë BIA. Ai ka thënë se gjatë periudhës së luftës nuk ka qenë i informuar rreth Gueriles BIA, por pas 24 marsit 1999 e kanë kuptuar që shërbejnë në kuadër të kësaj njësie.

“Në fillim kur jemi formuar kur jemi organizuar si grup, si ekip. Nuk kemi pasur njohuri për Guerilen BIA, para 24 marsit, duke ju falënderuar Isa Kastratit, Mustafë Sopit, që kanë pasur njohuri për UÇK-në, që kanë pasur njohuri edhe për Salih Mustafën, që e kanë njohur, sidomos profesori Mustafë Sopi, ata na kanë treguar ne përafërsisht kush janë dhe çka, por jemi ruajtur, janë ruajtur për shkak të rrezikut. Më vonë e kemi kaptuar që edhe ne jemi pjesë e gueriles, jemi pjesë e BIA-s, pjesë e Ushtrisë Çlirimtare, të Prishtinës”, ka thënë ai.

Ndryshe, Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm./kp/

Exit mobile version