Site icon Telegrafi

“BONEVET Peja” hapi dyert për fëmijë dhe të rinj të interesuar për shkencë, art dhe teknologji

Fondacioni “BONEVET Peja”, sot ka hapur dyert edhe zyrtarisht për fëmijë dhe të rinj të moshave të ndryshme të interesuar e të pasionuar për shkencë, art dhe teknologji.

Pjesë e kësaj hapje ishin figura të ndryshme nga sfera e qeverisjes lokale, ambasadave, biznesit, mediave, dhe shoqërisë civile të vendit.

“Të pranishmit në këtë hapje kanë pasur mundësinë te njihen për së afërmi me aktivitetet e BONEVET Peja dhe planet që ky fondacion ka rezervuar për zhvillim dhe ndikimin pozitiv në komunitet”, thuhet në njoftimin për media.

“BONEVET Peja” është një hapësirë krijuese që inkurajon të rinjtë, e të gjitha komuniteteve, të zhvillojnë kreativitetin dhe aftësitë e tyre në fushat si shkenca, teknologjia, inxhinieria, arti dhe matematika (STEAM).

“Ambasada Amerikane në Prishtinë, Komuna e Pejës dhe Fondacioni UNË E DU KOSOVËN kanë përkrahur Fondacionin “BONEVET Peja” që nga themelimi në implementimin e këtij projekti.

Mbështetja e akterëve vendor dhe ndërkombëtar për zhvillimin e “BONEVET Peja” është e një rëndësie të veçantë duke marrë parasysh rëndësinë e edukimit të gjeneratave të reja në fushën STEAM dhe punësimin e tyre në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Fondacionit “BONEVET Peja” mirëpret të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e klasave dhe programeve kreative për ngritjen e aftësive në fushat e lartë përmendura.  /Telegrafi/

Exit mobile version