Site icon Telegrafi

BONEVET, institucioni që ndihmon në zhvillimin e aftësive teknologjike dhe ideve kreative

BONEVET është një institucion i edukimit jo formal i cili është themeluar në vitin 2014, me qëllim që të shërbejë si një institucion ku fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit të kenë mundësi të zhvillojnë talentet dhe aftësitë e tyre përmes lojës dhe teknologjisë.

Arbër Lleshi, drejtor ekzekutiv në “BONEVET Gjakova”, në një intervistë dhënë për Telegrafin, foli më gjerësisht rreth punës që bëhet në këtë institucion.

“BONEVET në shtator të vitit të kaluar e ka festuar 10 vjetorin e themelimit, do të thotë në vitin 2014 është hapur për herë të parë qendra e parë ‘BONEVET’ në Gjakovë, nga fondacioni ‘UNË E DU KOSOVËN’ nga znj. Nita Xhiha dhe zt. Vllaznim Xhiha, të cilët e kanë themeluar ‘BONEVET’ me qëllimin që të shërbejë si një institucion edukimi, ku identifikohen talentet dhe zhvillohen aftësitë e fëmijëve, të rinjëve dhe të të rriturve.”, tha fillimisht Lleshi.

Gjatë periudhës kohore të funksionimit të “BONEVET” në këtë intstitucion janë angazhuar shumë të rinj dhe të reja, ku njëra ndër to është Klea Sahatqija, e cila që nga mosha 7 vjeçare është e angazhuar në “BONEVET”.

“Unë nga mosha 7 vjeç jam e angazhuar në ‘BONEVET’, dhe deri më sot kam vazhduar angazhimin tim këtu në ‘BONEVET’.  Unë fillimisht angazhimin tim në ‘BONEVET’ ja kam filluar në klasën Little Bits, e cila është një klasë që fillon me teknologji, me bashkimin e blloqeve të ndryshme dhe krijimin e një funksioni, dhe më pas kam kryer edhe shumë klasa të cilat kanë pasur të bëjnë me robotikë dhe anë të tjera të teknologjisë, por ka pasur edhe klasë që kanë pasur të bëjnë edhe me arts & crafts (anën kreative).”, potencoi Klea.

Përveç punës dhe mundësisë për zhvillimin e kapaciteteve rreth teknologjisë dhe kreativitetit, sipas Daris Lajqi, “BONEVET” është një vend i cili të krijon mundësi të reja socializimi.

“Në ‘BONEVET’ një diçka e mirë është që kam takuar shumë njerëz të ndryshëm, me të cilët jam shoqëruar, ku edhe sot njerëzit që i kam takuar këtu i kam shoqëri të afërt, ku përveç kësaj jam njoftuar me trajnerë dhe mësues të mirë, të cilët më kanë ndihmuar dhe më kanë dhënë vullnet që të mund të punoj rreth projekteve, dhe të mësoj edhe më shumë.”, u shpreh Darisi.

Intervistën e plotë rreth punës që bëhet në “BONEVET” mund ta ndiqni më poshtë. /Telegrafi/

Exit mobile version