Legjendarët e rokut, “Bon Jovi”, më në fund kanë hyrë në hollin e famës së rokenrollit (Rock and Roll Hall of Fame) dhe këtë e kanë bërë në mënyrën më të mirë duke u shfaqur të ribashkuar.
Bendi amerikan jo vetëm që ka marrë një prej nderimeve më të mëdha muzikore, por me këtë rast u bashkuan që të pesë anëtarët origjinalë të grupit.
Anëtarët aktualë, frontmeni Jon Bon Jovi, pianisti David Bryan dhe bateristi Tico Torres, u ngjitën bashkë në skenë me ish-basistin Alec John Such (i cili u largua në vitin 1994) dhe kitaristin Richie Sambora (i cili u largua në vitin 2013). Krahas tyre, në “Rock and Roll Hall of Fame” është përfshirë edhe basisti aktual, Hugh McDonald.
Mungesa e Samboras vazhdon t’i pikëllojë fansat e “Bon Jovi”, të cilët duan që kitaristi të rikthehet në grup, ndërsa në evenimentin e të shtunës mbrëma e kanë pasur mundësinë ta shohin sërish duke interpretuar me bendin e tij të vjetër.
Bendi që u bë i popullarizuar në vitet e tetëdhjeta, për herë të parë ishte nominuar për të hyrë në “Rock and Roll Hall of Fame” në vitin 2011, mirëpo rokerët legjendarë u desh të prisnin deri në vitin 2018 që ta përjetonin këtë nderim.
Në evenimentin e zhvilluar në Cleveland të Ohios, anëtarët e ribashkuar interpretuan hitet, si “Livin’ on a Prayer”, “You Give Love a Bad Name” e “It’s My Life”, si edhe një prej këngëve më të fundit, “When We Were Us”.
Për nostalgjinë e fansave, Jon dhe Richie kënduan bashkë, madje e ndanë të njëjtin mikrofon. /Telegrafi/