Nedim Bajrami ka shkëlqyer në fitoren e Shqipërisë 2-0 ndaj Moldavisë të shtunën mbrëma në Air Albania.
Mesfushori shqiptar ishte më i miri në fushë, ku realizoi edhe golin e dytë.
Ai iu bashkua Sassuolos në janar nga Empoli, por klubi zigjelbër e ka blerë për gjashtë milionë euro.
Megjithatë Bajrami mund të largohet nga Sassuolo vetëm pas gjashtë muajsh qëndrim në Mappei Stadium.
Bologna është duke punuar për të forcuar ekipin për sezonin e ardhshëm dhe sipas raportimeve të medieve italiane, mes emrave që po ndiqen me vëmendje për t’u bashkuar ekipit të trajnerit Thiago Motta është edhe ai i mesfushorit të kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami.
“Corriere dello Sport” ka raportuar se drejtori teknik i Bolonjas,Giovanni Sartori ka qenë në “Air Albania” për të ndjekur ndeshjen mes Shqipërisë dhe Moldavisë.
Trajneri Tiago Mota kishte kërkuar që të ketë më shumë informacione për Bajramin, i cili në fakt njihet mirë në Itali pasi aktivizohet me Sassuolon.
Shkëlqimi i Bajramit me fanellën kuqezi mund të bëj Bolognën që të intervenojë dhe të synoj afrimin e mesfushorit shqiptar gjatë verës. /Telegrafi/