Site icon Telegrafi

Bloomberg do të financojë organin e OKB-së për klimën, pas daljes së SHBA-së nga marrëveshja e Parisit me urdhër të Trumpit

Organi i OKB-së për ndryshimet klimatike do të marrë fonde nga fondacioni i miliarderit Michael Bloomberg, pasi presidenti Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga Marrëveshja e Parisit për herë të dytë.

Në një njoftim të enjten, Bloomberg tha se ndërhyrja synon të sigurojë që Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) të mbetet plotësisht e financuar, pavarësisht se SHBA ndalon kontributet e saj.

“Nga viti 2017 deri në vitin 2020, gjatë një periudhe mosveprimi federal, qytetet, shtetet, bizneset dhe publiku u përballën me sfidën për të mbështetur angazhimet e kombit tonë – dhe tani, ne jemi gati ta bëjmë përsëri”, tha Bloomberg, i cili shërben si i dërguari i posaçëm i OKB-së për ambiciet dhe zgjidhjet klimatike.

SHBA zakonisht siguron 22 për qind të buxhetit të sekretariatit të UNFCCC, me kostot operative të trupit për 2024-2025 të parashikuara në rreth 96.5 milionë dollarë, transmeton Telegrafi.

Pasi bëri betimin të hënën, Trump nënshkroi një nga urdhrat e tij të parë ekzekutiv për tërheqjen e SHBA nga marrëveshja për klimën dhe përfundimin e të gjitha angazhimeve financiare ndërkombëtare të vendit për klimën.

Simon Stiell, sekretari ekzekutiv i UNFCCC, e cilësoi vendimin e Trump si një mundësi të humbur për biznesin e energjisë së pastër të SHBA-së, duke thënë se ai vetëm dërgon “të gjithë pasurinë e madhe te ekonomitë konkurrente” ndërsa i përkeqëson fatkeqësitë e lidhura me klimën.

Vendimi i Bloomberg për të marrë pjesë, shënon herën e dytë që ai e bëri këtë për të mbushur boshllëkun e lënë nga mosangazhimi federal i SHBA.

Në vitin 2017, pas tërheqjes së parë të administratës Trump nga marrëveshja e Parisit, Bloomberg premtoi deri në 15 milionë dollarë për të mbështetur UNFCCC.

Ai gjithashtu nisi “Premtimin e Amerikës”, një iniciativë për të gjurmuar dhe raportuar angazhimet jo-federale të SHBA-së për klimën, duke siguruar që bota mund të monitorojë përparimin e SHBA-së sikur të ishte ende një palë plotësisht e përkushtuar në Marrëveshjen e Parisit.

Bloomberg kishte kërkuar nominimin demokrat për president të SHBA-së në vitin 2019, por e përfundoi fushatën e tij katër muaj më vonë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version