Site icon Telegrafi

Blinken: Veprimet e sotme në veri do të sjellin pasoja në raportet Kosovë – SHBA

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka dënuar ashpër aksionin e Policisë së Kosovës në veri.

Në një reagim në Twitter Blinken i ka bërë thirrje Kurtit të ndalojë menjëherë këto veprime që ai i ka quajtur “masa të dhunshme” dhe të ripërqendrohet në dialog.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan të premten ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.

Me anë të një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thotë deklarata.

Lexo po ashtu Osmani: Veprimet e Policisë legjitime – suksesi i tyre varet nga koordinimi me aleatët

“I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kurs dhe të gjitha palëve të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndizte tensionet dhe do të nxiste konfliktin”, përfundon deklarata.

Ndryshe, Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.

Paraprakisht, Policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve./Telegrafi/

Exit mobile version