Biznesmeni i njohur shqiptar, Samir Mane, ka njoftuar se kompania e tij, BALFIN Group, ka blerë 40% të aksioneve në biznesin kosovar Hyper Active, qendrën më të madhe të argëtimit familjar në Kosovë dhe rajon.
Përmes një postimi në Instagram, Mane ka bërë të ditur se ky investim është vetëm hapi i parë drejt një zgjerimi të madh ndërkombëtar, me plane për të hapur qendra të reja në Tiranë, Shkup, Vjenë dhe Berlin, si dhe në kryeqytete të tjera evropiane në të ardhmen.
“Nga sot, Grupi BALFIN është aksionar me 40% në Hyper Active. Me plane ambicioze dhe të mirëpërcaktuara për Tiranën, Shkupin, Vjenën dhe Berlinin dhe së shpejti, në kryeqytetet e tjera të mëdha evropiane, ne sapo kemi filluar! Ne po prezantojmë vazhdimisht ide të reja dhe Hyper Active është koncepti më inovativ deri më tani për argëtimin familjar”, ka shkruar ai.
Hyper Active është një destinacion i njohur për lojëra dhe aktivitete argëtuese për të gjitha grupmoshat, duke ofruar një eksperiencë unike për familjet dhe të rinjtë.
Ky investim pritet të forcojë edhe më shumë pozicionin e kësaj qendre në treg dhe të sjellë risi në industrinë e argëtimit në rajon dhe më gjerë.