Aktori Bill Cosby e ka shkarkuar gjithë ekipin e avokatëve që e kanë përfaqësuar, pasi u shpall fajtor për keqtrajtim seksual në tri pika të paditës ndaj tij.
80-vjeçari rrezikon të dënohet deri në 30 vjet burg për shkak të abuzimit, drogimit dhe keqtrajtimit të Andrea Constand, në shtëpinë e tij në janar të vitit 2004.
Pjesë e ekipit të avokatëve të tij ka qenë edhe Tom Mesereau, i cili kishte arritur ta lironte të ndjerin Michael Jackson nga akuzat për keqtrajtimin e fëmijëve.
Cosby menjëherë e ka angazhuar avokatin e ri, Joseph P. Green Jr., i cili ka të fituara mbi 100 raste dhe shpreson që ta mbrojë nga burgu.
Kjo është hera e dytë që aktori e ndërron ekipin e avokatëve, edhe pse nuk është e zakonshme që avokatët të ndërrohen pas vendimit të gjykatës dhe paralajmërimit të ankesës.
Juria ka kaluar më shumë se 14 orë duke marrë vendimin për ta shpallur fajtor Cosbyn, të cilin Constand e ka akuzuar se i ka dhënë barna dhe e ka përdhunuar në shtëpinë e tij në Philadelphia para 14 vitesh.
Komiku i kishte hedhur poshtë akuzuar, ndërsa aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak derisa t’i shqiptohet dënimi. /Telegrafi/