Pane, amore e fantasia është film i neorealizmit italian i vitit 1954, me regji të Luigi Comencinit.
Sekuenca simbol e filmit është shumë therëse, të bën të qash e të qeshësh njëkohësisht.
Vittorio De Sica në rolin e “mareshalit”, komandantit të karabinierëve të fshatit, tek ecte rrugës sheh një individ të rreckosur të ulur rrëzë një muri në një rrugicë rrënojash, teksa hante me shije një bukë të madhe, thatë, të mbledhur me gazetë …
“Çfarë po bën aty?” – e pyet.
“Po ha drekën, marescià! Bukë, djathë, sallam krudo dhe pak verë” – përgjigjet ai.
“Po djathin, sallamin dhe verën ku e ke?” – vazhdon ta pyesë i habitur De Sica.
“I kam në mendje, marescià …”!
“Ahh …! Epo atëherë … të bëftë mirë …”!
Është Italia e pasluftës, e cila mes rrënojash përpiqej të gjente forcat për t’u ringritur, e që konsumonte vetëm dashuri që është falas dhe një minimum konsumi aq sa buka thatë …
Mirëqenien e kishte thjesht një fantazi, në mendje.
Virtuale, do e quanim sot ne në kohët “moderne”.
Nëse satira e neorealizmit italian ka fiksuar një moment psikosocialo-ekonomik të Italisë së pasluftës, në Shqipërinë “moderne” ky është realitet propagandistik e aspak “virtual”.
Virtualisht, një shqiptar nuk ka nevojë të lodhet duke shkuar nëpër sportele për të marrë shërbimet që i nevojiten.
Gjithçka mund ta bëjë nga shtëpia, përmes e-Albania, si në Skandinavi.
Po s’besuat, shihni lajmet e Top Channel-it.
Virtualisht, me një “klik” aty gjen certifikatën e lindjes, martesës dhe të vdekjes, detyrimet e taksave dhe tatimeve etj., madje në “mënyrë të unifikuar përmes Web 2.0”, i konceptuar me “qasjen” që në qendër të jetë qytetari.
E thotë krejt qartë TV Klan-i në pesë kronikat e para të lajmeve të çdo dite.
Virtualisht, mjekësia në Shqipëri është falas, si askund tjetër në botë.
Shteti shqiptar (aspak virtualisht) paguan disafish më tepër se çdo shtet tjetër për shërbimet që virtualisht marrin qytetarët në spitale, që nga sterilizimi e deri te dializa.
E sqaron deri në detaje Report TV, sa herë i duhet qeverisë.
Në këtë vendin që ha vërtetë vetëm bukë thatë, virtualisht, ekonomia rritet vit për vit dhe ndërtimi i kullave për frymë popullsie krahasohet vetëm me Dubain.
Virtualisht, përmes sondazheve, 67 përqind janë të kënaqur me qeverinë dhe qeverisjen, madje kjo pasqyrohet edhe në zgjedhje, por 33 përqind kanë ikur dhe 87 përqind e atyre që kanë mbetur kanë vendosur të ikin.
Virtualisht, në këtë vend të rreckosur që ha bukë thatë në cep të rrugicës, demokracia funksionon si sahat, “online” përmes komisioneve parlamentare, madje pa pasur nevojë për debat e as për opozitë.
Virtualisht, në këtë vendin ku çdo gjë vidhet hapur, me paralajmërim, ku virtualisht 7×7 bëjnë vazhdimisht 42, pandëshkueshmëria ka marrë fund, por vjedhja vazhdon edhe më intensivisht.
Virtualisht kemi edhe prezenca diplomatike që po ashtu virtualisht na “përgëzojnë për arritjet e deritanishme” që i kemi në mendje, në fantazi e në rrugë e sipër na urojnë “ah … epo atëherë… të bëftë mirë …”!
Virtualisht, në këtë vendin që çdo gjë tjetër përveç bukës thatë e ka luks (përfshirë edhe “dashurinë”), të gjithë bisedojnë vetëm për “Big Brother” e “Përputhen”, por askush nuk pranon se e ndjek.
Nëse e pyet se nga i di zhvillimet e fundit deri në detaje, të përgjigjet se e ndjek ndonjëherë, rastësisht dhe e bën vetëm për qëllime “studimore”, për të kuptuar se “a ka rënë vërtetë kaq poshtë kjo shoqëri”.
Gjithsesi, një gjë është e sigurt, e prekshme e aspak virtuale: ditën e transmetimit të tyre, Tirana është bosh.
Secili ka zënë cepin e tij të rrugicës për të shijuar me oreks copën e tij të “Big Brother”, duke pasur në fantazi, në mendje, virtualisht, çdo gjë tjetër që duhet ta kishte realisht e që ia marrin çdo ditë, live, me paralajmërim…
Këtu realja dhe virtualja “Përputhen” dhe shijohen plotësisht, prandaj nuk ka më as forcë për të reaguar … dhe nuk është film.