Site icon Telegrafi

Bie besimi në ekonominë shqiptare në korrik për herë të parë në tetë muaj

Treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi rënie në korrik, për herë të parë pas tetë muajsh.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ky tregues ra me 6.5 pikë për muajin e kaluar, por megjithatë vazhdon të qëndrojë ndjeshëm mbi mesataren historike, 12.4 pikë sipër saj.

Rënia e TNE-së këtë muaj u ndikua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, me përjashtim të sektorit të tregtisë, i cili regjistroi rritje.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 4.4 pikë përqindje në muajin korrik, pasi kishte shënuar rritje që nga muaji shkurt. Megjithatë, ky tregues qëndron 14.3 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Zhvillimi i muajit korrik u ndikua nga rënia e vlerësimeve të bizneseve si për prodhimin aktual, ashtu edhe për kontratat porositëse. Pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin në të ardhmen kanë regjistruar rritje të lehtë në korrik, ndërsa pritjet për punësimin dhe çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë në rënie.

Edhe treguesi i besimit në ndërtim regjistroi një kthesë rënëse me 12.1 pikë përqindje në korrik, duke ndërprerë prirjen rritëse që nga muaji shkurt. Megjithatë, niveli i tij vijon të qëndrojë në nivele të larta, 24 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Rënia e besimit në ndërtim u përcaktua kryesisht nga vlerësime më pak optimiste për aktivitetin aktual ndërtues. Edhe vlerësimi për nivelin e porosive regjistroi rënie, por në masë më të ulët. Gjithashtu, pritjet për punësimin dhe për çmimet në të ardhmen kanë regjistruar rënie.

Treguesi i besimit në shërbime pësoi rënie për të dytin muaj rresht, me 10.4 pikë përqindje në korrik. Megjithatë, edhe në këtë rast niveli i tij vijon të qëndrojë 16.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Ndikimin kryesor në rënie e dhanë vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre.

Edhe komponenti i dytë, niveli i kërkesës, është vlerësuar me rënie për muajin korrik. Gjithashtu, niveli i punësimitdhe pritjet për të në të ardhmen vlerësohen në rënie nga bizneset e shërbimeve, por megjithatë pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rritur.

Treguesi i besimit në tregti ishte i vetmi që regjistroi rritje, me 1.6 pikë përqindje në muajin korrik, duke arritur nivelin 15.6 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Rritja u përcaktua nga vlerësime më optimiste për ecurinë aktuale të biznesit. Megjithatë, komponenti i dytë i treguesit, pritjet për punësimin në të ardhmen, pësoi rënie në korrik. Edhe pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje.

Treguesi i besimit konsumator regjistroi rënie me 1.9 pikë përqindje në korrik, duke iu rikthyer nivelit të mesatares historike. Rënia reflektoi rënien në të gjithë komponentët përbërës, përfshi blerjet në shuma të mëdha, pritjet për situatën financiare dhe situatën e përgjithshme ekonomike në të ardhmen. /Telegrafi/

Exit mobile version