Gjatë ditës së enjte në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi që tregojnë disa biçikleta të “Prishtina Bike” të vendosura në oborrin e një shtëpie në lagjen Kalabria të Prishtinës.
Kjo ka ngritur dyshime mes qytetarëve se mund të ketë keqpërdorim të tyre.
Megjithatë, Ndërmarrja Publike “Prishtina Parking” ka sqaruar se gjatë sezonit të dimrit janë marrë masa të veçanta për mbrojtjen e biçikletave, dhe prania e tyre në atë hapësirë lidhet me procesin e mbushjes.
“Për shkak të kushteve dimërore, kemi vendosur që biçikletat e ‘Prishtina Bike’ t’i mbajmë në një hapësirë të mbyllur dhe të monitoruar me kamera, për të shmangur çdo dëm të mundshëm. Ato do të rikthehen në stacionet e tyre më 1 mars 2025. Aktualisht, po realizojmë procesin e mbushjes së baterive elektrike, i cili zgjat 24 orë për çdo biçikletë”.
“Ky është një hap i rëndësishëm për funksionimin e duhur të sistemit. Për më tepër, për të optimizuar mbushjen dhe për të garantuar një performancë më të gjatë, biçikletat ekspozohen në diell për të përfituar energji solare”, thuhet në përgjigjen për Telegrafin.
Ndërmarrja theksoi gjithashtu se biçikletat ndodhen në një zonë të sigurt në lagjen Kalabria, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të kamerave dhe të stafit përgjegjës, duke siguruar që çdo gjë të jetë nën kontroll. /Telegrafi/