Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka nisur të mbahet seanca gjyqësore ndaj gjashtë të arrestuarve në aksionin e djeshëm, ndërsa po mungon i arrestuari i shtatë, avokati Besnik Berisha.
Ky i fundit është i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të gjendjes shëndetësore.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin avokati i Berishës, Naim Rudari, i cili ka thënë se seanca ndaj klientit të tij pritet të mbahet në QKUK.
‘Po, klienti në QKUK për shkak të gjendjes shëndetësore dhe seanca ndaj tij pritet të mbahet aty pas pak minutave. Nuk kemi marrë njoftim zyrtar nga gjykata në lidhje me këtë, por po presim‘, ka thënë Rudari, duke mos pranuar të japë më shumë detaje për gjendjen e Berishës.
E Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi gjatë dirës se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Berisha dhe gjashtë të tjerëve me inicialet N.Xh., I.S., R.C., F.Z., J.V., dhe A.S., të cilët gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, për të pandehurin N.Xh., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.
Për të pandehurin Besnik Berisha ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave‘ dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Ndërsa, për të pandehurin I.S., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Për të pandehurin J.V., ekziston dyshimi i bazuar se ka veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.
Kurse, ndaj të pandehurit me inicialet F.Z., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.
Ndërsa, ndaj të pandehurit me inicialet R.C., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” dhe ndaj A.S., sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”. /Telegrafi/