Besa Famgas, Rahoveci dhe Kastrioti i kanë mësuar kundërshtarët që do t’i kenë në Kupën Evrope për edicionin e ri.
Besa do të fillojë garat prej raundit të dytë të Kupës Evropiane. Përballë Besës do të jetë skuadra nga Finlanda, IFK Handball Helsinki. Ndeshja e parë do të luhet në Helsinki, ndërsa e dyta në Pejë.
Besa, që tashmë e ka përvojën evropiane, synon ta kalojë ekipin finlandez.
Ndeshja e parë është më 29 apo 30 tetor, ndërsa e kthimit më 5 apo 6 nëntor.
Rahoveci që është duke u përgatitur për debutim në garat evropiane do të përballet në raundin e dytë të Kupës Evropiane me skuadrën çeke, Karvina.
Ndeshja e parë do të luhet në Rahovec, ndërsa e dyta në Çeki. Ndeshja në Rahovec është më 29 apo 30 tetor, ndërsa në Çeki më 5 apo 6 nëntor.
Ndërkaq, Kastrioti i Ferizajt ka mësuar kundërshtarin e mundshëm në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Kastrioti në fakt e fillon garimin në raundin e parë dhe në fundjavë luan me Graçanicën e Bosnjë-Hercegovinës. Është vendosur që dy ndeshjet të luhen në Bosnjë.
Nëse Kastrioti e kalon Graçanicën, atëherë në raundin e dytë të Kupës Evropiane luan me skuadrën nga Azerbajxhani, Baki.
Ndeshjet e raundit të dytë luhen në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit.