Partia Demokratike e Shqipërisë nuk do bashkojë votat me Edi Ramën për asnjë lloj mase ndaj sistemit të drejtësisë.
Kështu u shpreh Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, sipas të cilit Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të ketë prokurori politike.
“Edi Rama përpiqet me propagandën e tij të krijojë një analogji të qëndrimeve të tij prej kryehajduti ndaj prokurorëve me qëndrimet tona. Jo, është krejtësisht tjetër. Njëherë duhet të qartësoj shqiptarët, se kurrë kjo parti nuk do bashkojë votat me Edi Ramën për asnjë lloj mase ndaj sistemit të drejtësisë. Kjo parti ka platformë të qartë, ka shprehur qëndrimet e veta në bindjen më të thellë se Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të ketë prokurori politike. Po kjo nuk do bëhet në asnjë rrugë tjetër përveç Komisionit të Venecias. Kjo do bëhet me reformim dhe në asnjë rast duke shndërruar grupin parlamentar në prokuror, as në avokat dhe aq më pak partia që pretendon luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, të bashkohet me cilindo qoftë në mbrojtje të korrupsionit”.
Pas dëgjesës me rektorin e Universitetit Bujqësor të Kamzës, Berisha paralajmëroi Ramën që nëse rrethon institucionet do t’i rrethohet Surreli.
“Mor zoti Sallaku, a e kupton që u fute në strofullën e hajdutëve ti? Kujt i qahesh ti? Pra, të gjithë këta janë të përfunduar. Këta janë të marrë fund dhe këta të mos kujtojnë kurrë se mund të kryejnë qoftë edhe veprimin më të vogël me mbështetjen e opozitës. E kundërta është. E paralajmëroj Edi Ramën, në rast se i lejon vetes të rrethojë institucionet, Surreli do i rrethohet. Nuk ka, nuk mund të ketë akte triumfi të Eskobarit siç ndodhi në vitet ’80 në Kolumbi. Jo. Ndaj dhe uroj që të mos ndryshojë mendje se deklaroi se nuk do rrethojë më. Të mos ndryshojë mendje se do e gjejë Surrelin të rrethuar. Nuk bëhet kjo. Lërini ato, janë procese, reforma. Por ta shndërrosh grupin parlamentar në rifuxhio të hajdutëve. E tregoi sot veten me seancën që dëgjoi. Imagjinoni ju hajdutët më të mëdhenj bëhen gjykatës. Nuk kishte seancë si ajo. Ajo ishte seanca më tragjikomike në histori. Ndaj dhe këto janë qëndrimet tona. Absolutisht zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe një program i shkëlqyer për shqiptarët”. /Telegrafi/