Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në zyrat e Partisë Demokratike. Ai u prit me brohoritje nga mbështetësit e tij.
Ata janë mbledhur jashtë ambienteve të Partisë Demokratike, pas referendumit të zhvilluar gjatë ditës sotme. Ky referendum u mbajt për të larguar nga Partia Demokratike kryetarin aktual Lulzim Basha.
“Unë dua të përulem me nderimin më të madh para rreth 44 mijë votuesve që sot vendosën largimin e Peng Bashës, e Lul Bravës nga drejtimi përfundimtar i forcës politike. Ky është ndëshkimi më i merituar për një person të padenjë për detyrë”, tha Berisha.
“Ky është votimi më i shkëlqyeri në historinë e revolucionit demokratik. Ju e shihni që ky revolucion nuk ka të ndalur. Nuk ka forcë në botë që mund ta ndalojë këtë revolucion”, u shpreh Berisha.
Në gjithë Shqipërinë ishin 106 qendra votimi.
Deputetja Albana Vokshi, ka treguar se mbi 44 mijë demokratë kanë votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kreut të partisë.
Në anën tjetër, Partia Demokratike me Lulzim Bashën në krye organizoi sot Kuvendin Kombëtar, ku u mor vendim për të larguar nga funksionet drejtuese në parti të gjithë personat e shpallur “non grata” apo që kanë pasur poste drejtuese gjatë regjimit komunist.
“Nuk ka referendum, ka vetëm disa anëtarë të PD të cilëve u bëj thirrje t’i bashkohen vendimeve të institucioneve”, ka thënë Basha duke bërë me dije se nuk e njeh referendumin e Berishës.
Rezoluta e miratuar më 12 dhjetor në Këshill dhe e aprovuar sot nga Kuvendi, e cilëson mbledhjen gjithashtu Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha si “të jashtëligjshme”.
Sipas rezolutës vendimet janë nul dhe nuk kanë asnjë vlerë politike apo ligjore për PD. /EuronewsAlbania/