Site icon Telegrafi

Berisha bën thirrje për protestë kundër Ramës: Do të udhëheqim një lëvizje të fuqishme popullore

Në bashkëbisedimin me mediat këtë të premtes, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal më së shumti te çështja e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal dhe akuzat ndaj Edi Ramës.

Ai u shpreh se “çdo shqiptar e ka të qartë se ky kryeministër është turpi, është faqja e zezë e këtij vendi dhe do mbetet i tillë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”.

Berisha theksoi se PD-së do të udhëheqë revolucionin demokratik dhe përmbysjen e këtij regjimi me një lëvizje të fuqishme popullore.

“Akuzat më konkrete ndaj McGonigal janë në dosjen shqiptare. Çdo shqiptar e ka të qartë se ky kryeministër është turpi, është faqja e zezë e këtij vendi dhe do mbetet i tillë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, tha Berisha.

“Ndaj siç kam deklaruar, përsëris edhe njëherë vendosmërinë e PD për të udhëhequr revolucionin demokratik dhe përmbysjen e këtij regjimi me një lëvizje të fuqishme popullore të paparë ndonjëherë në Shqipëri”, shtoi ai.

“PD do të krijojë komision hetimor parlamentar me qëllimin e bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e SHBA për zbardhjen në çdo detaj të kësaj afere që ka tronditur SHBA, NATO-n dhe gjithë botën e lirë”, theksoi kreu i PD-së.

“PD po mbledh dhe do dërgojë të gjithë informacionin se në shkelje flagrante të sanksioneve ndaj mikut të tij, oligarkut të Putinit, Deripaska ka vazhduar aktivitetin i pashqetësuar për katër vite që nga momenti i vendosjes së sanksioneve, nga viti 2018 deri në vitin 2022, i paturbuar. Me lobimin apo jo të Charles McGonigal këtë duhet ta sqarojë drejtësia e SHBA. Por ne jemi të vendosur të japim kontributin tonë”, tha Berisha. /Telegrafi/

Exit mobile version