Kryesuesi i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës (BeH), Denis Beqiroviq, tha më 22 tetor në Sarajevë se pret që përfaqësuesit e Republikës Srpska në institucionet shtetërore të ndihmojnë që Bosnja dhe Hercegovina t’i heq vizat për Kosovën.
Beqiroviq ka thënë kështu duke komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në fjalimin e tij të 14 tetorit në samitin e Procesit të Berlinit ka njoftuar se nga 1 janari 2025, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim.
“Pas kësaj lëvizjeje shtetërore të zotit Kurti, pres që edhe brenda BeH-së, kur bëhet fjalë për përfaqësuesit në institucionet shtetërore që vijnë nga entiteti Republika Srpska, që edhe ata të na ndihmojnë që të hedhim një hap adekuat dhe ta zbatojmë plotësisht marrëveshjet që BeH nënshkroi në kuadër të procesit të Berlinit”, tha Beqiroviq pas takimit me presidentin shqiptar Bajram Begaj, i cili po viziton Bosnjën dhe Hercegovinën.
Në janar të këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë marrë regjimin pa viza për të udhëtuar në Bashkimin Evropian, por ende nuk kanë lirinë e hyrjes pa viza në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesit të entitetit të Republikës Srpska.
Siç raporton REL, në konferencën për shtyp pas vizitës së presidentit shqiptar Bajram Begaj, Beqiroviq e quajti kryeministrin Kurti një “mik të madh”, kurse veprimin e tij “shtetëror” dhe “të pazakontë në rajon”.
“Mendoj se kjo është e rëndësishme për të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe për të gjithë rajonin dhe se ne me këtë do të dërgojmë një mesazh tjetër të rëndësishëm”, tha Beqiroviq dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes që Bosnja dhe Hercegovina nënshkroi si pjesë e Procesit të Berlinit.
Marrëveshja, e cila do të heqë regjimin e vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, dhe do t’u mundësojë qytetarëve të këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti i Bosnjes e Hercegovinës.
Ratifikimi i saj është bllokuar nga përfaqësues të autoriteteve të entitetit të Republikës Srpska, e udhëhequr nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur e Milorad Dodik. /Telegrafi/