Rafael Benitez i ka përgënjeshtruar pohimet se është përpjekur ta mësojë Cristiano Ronaldon si t’i ekzekutojë gjuajtjet e lira, gjatë kohës kur ishin te Real Madridi.
Trajneri spanjoll ka qëndruar në Santiago Bernabeu për një periudhë gjashtëmujore (qershor 2015 – janar 2016), ndërsa më pas u zëvendësua nga Zinedine Zidane për shkak të mungesës së sukseseve.
Ishte raportuar se ai ka pasur raporte jo të mira me disa lojtarë duke e përfshirë yllin kryesor të skuadrës. Madje ishte thënë se Benitez i ka kërkuar Ronaldos që t’i rishikojë performancat e tij dhe të përmirësohet, si edhe të mësojë të gjuajë nga situatat e vështira.
Megjithatë, trajneri aktual i klubit kinez, Dalian Yifang, e ka treguar versionin e tij të ngjarjes në një intervistë për Marca.
“Është gënjeshtër. Asnjëherë nuk i kam thënë se si t’i ekzekutojë ato (gjuajtjet e lira). Biseda e vetme që kam pasur me Cristianon për gjuajtjet e lira ka qenë në Australi gjatë stërvitjeve parasezonale”.
“I kam thënë se i kemi analizuar me trajnerin e portierëve, gjuajtjet e lira që i ka ekzekutuar kur ishte te Manchester Unitedi dhe trajektoren e topit në raport me pozicionin e murit”.
“Ideja jonë asokohe, si trajnerë të Liverpoolit, ishte të përpiqemi t’u kundërpërgjigjemi gjuajtjeve të tyre të lira. Por, kaq ishte. Në asnjë moment, si trajner i Madridit, nuk i kam thënë CR7 si t’i ekzekutojë gjuajtjet e lira”, ka sqaruar Benitez. /Telegrafi/