Site icon Telegrafi

Familja Jashari reagon pasi studentët e huaj u penguan të shkojnë në Prekaz: Aksioni i sotëm bie ndesh me traditën shqiptare

Ish-kryetari i Skenderaj, Bekim Jashari, në emër të Familjes Jashari ka reaguar pasi një grup studentësh ndërkombëtarë janë penguar që të futen në Skenderaj nën dyshimin së ishin nga Serbia.

Jashari ka thënë se këto pamje të ndalimit të tyre e kanë shqetësuar.

“Jam i shqetësuar me disa pamje që tani shikova ku shihet se janë penguar për ta vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” disa studentë ndërkombëtar, mysafirë në Kosovë, të cilët do të kishin rastin që për së afërmi të njihen me luftën, sakrificën dhe historinë e familjes, e në veçanti të rinjve të familjes sonë që kur ishin në moshën edhe me të re se të këtyre vizitorëve dhanë më të shtrenjtën jetë që bashkëmoshatarët e tyre të jetojnë e veprojnë të lire”.

Ai thotë se nuk është në traditën e shqiptarëve një veprim i tillë.

“Aksioni i sotëm pos që është në kundërshtim me traditën shqiptare në raport me mysafirin, bie ndesh edhe me qëndrimet tona si familje”.

Sipas Jasharit, memoriali i përket sakrificës dhe rezistencës për liri dhe si i tillë është vend i duhur për çdokënd që dëshiron të dijë vlerën e lirisë, duke përfshirë edhe ata që tani distancohen dhe njohin gjenocidin serb në Kosovë.

Lexo po ashtu Ndalohet hyrja e studentëve serb në Prekaz

Jashari megjithatë thotë se i kupton edhe reagimet e “Shqiponjave të Zeza”.

Në anën tjetër i kuptoj edhe reagimet e “Shqiponjave të Zeza” që të ndikuar nga lajme me tituj nxitës dhe nga emocionet realizuan një aksion jo të menduar aq mirë por gjithsesi pa ndonjë qëllim të keq, andaj edhe duhet mirëkuptuar.

“Uroj që raste të tilla që prishin imazhin e shtetit dhe shoqërisë sonë të mos përsëriten”, ka shkruar tutje Jashari./Telegrafi/

Exit mobile version