Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, vazhdon të jetë një ndër emrat më të suksesshëm në tregun shqiptar.
Këtë vit, ajo publikoi albumin e saj të ri “Expectations”, i cili u prit shumë mirë nga publiku, ndërsa disa nga këngët e albumit janë bërë hite dhe kanë kryesuar top listat amerikane muajve të fundit.
Ajo është vazhdimisht në përgatitje të projekteve të reja, dhe një të tillë është gati ta sjellë së shpejti në bashkëpunim me një nga DJ-të më të njohur botërorë.
Bëhet fjalë për David Guettan, i cili në albumin e shtatë tij, që do të publikohet së shpejti, ka një bashkëpunim me artisten shqiptare.
E entuziazmuar për këtë gjë, Bebe Rexha ka ndarë me ndjekësit e saj në InstaStory një listë me këngët e albumit të ri nga David Guetta, pjesë e së cilit do të jetë edhe bashkëpunimi i tyre i radhës, i titulluar “Say my name”.
“Në albumin e ri të David Guettas. Kënga titullohet ‘Say my name'”, ka shkruar artistja Rexha në mbishkrimin e fotografisë.
Kujtojmë që ajo ka pasur edhe një herë bashkëpunim me DJ-n e famshëm në vitin 2015, ku së bashku me Nicki Minaj dhe Afrojcak, kishin mbledhur forcat për të sjellë mega hitin “Hey Mama”, i cili ka kaluar mbi një miliardë klikime në YouTube, dhe llogaritet si një ndër këngët më të suksesshme të dekadës së fundit. /Telegrafi/