Janë zbuluar disa fotografi të rralla të grupit The Beatles, duke interpretuar në “Cavern Club” të Liverpulit, para se të lansonin zyrtarisht muzikën e tyre, shkruan Guardian, transmeton Telegrafi.
Fotot janë bërë në korrik të vitit 1961, më shumë se një vit para se grupi të publikonte këngën e tyre debutuese, “Love Me Do”. Aty shihen John Lennon dhe Paul McCartney në mikrofon, me George Harrisonin në kitarë dhe Pete Bestin, pjesërisht në errësirë, si baterist i parë i grupit.
Njohësi i historisë së grupit, Mark Lewisohn, thotë: “Brenda klubit të ngushtë dhe të lagësht të ‘Cavern Club’-it në Liverpul, këto foto të panjohura më parë kanë kapur grupin duke interpretuar para një audience – gjatë drekës ose mbrëmjes së korrikut 1961. Të sapo kthyen nga Hamburgu – duke i kaluar 500 orë në skenë për 90 ditë – Beatles duken si djem të kequshqyer të moshës 20-vjeçare (John), 19 (Paul dhe Pete) dhe 18 (George). Kaq të hollë i ka bërë kjo maratonë, saqë kokat dhe trupat e tyre duken si të huaj. Pamja veçohet nga veshjet e pazakonta – pantallonat prej lëkure dhe bluzat e pambukut. Asnjë foto tjetër nuk i shfaq ata të veshur në këtë mënyrë”.
Tre muaj pasi u bënë fotografitë, John dhe Paul shkuan në Paris dhe u kthyen me atë që do të njihet si “prerja e flokëve në stilin bitëls”.
“Ditë më vonë, Brian Epstein sheh grupin në ‘Cavern Club’ dhe ofrohet që të bëhet menaxheri i tyre, duke nisur një trend që ndryshoi botën tonë.”
Best u largu nga grupi më 1962 dhe vendin e tij e zë Ringo Starr. /Telegrafi/