Ndonëse kohëve të fundit krerët e këtyre partive janë takuar disa herë, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ende nuk kanë arritur që te merren vesh, se me cilët njerëz dhe cilin program do ta udhëhiqnin ekzekutivin e vendit, në rast se do t’u ofrohej kjo mundësi.
Shefi i LDK-së, Isa Mustafa, javën e kaluar ka thënë se ka pasur takime në mes nënkryetarit të partisë së tij, Lufti Haziri dhe të nominuarit për kryeministër nga radhët e VV-së, Albin Kurti, por duke mos specifikuar se çfarë është biseduar aty, shkruan Telegrafi.
Në anën tjetër, deputeti i VV-së, Albin Kurti në një intervistë për media ka thënë se ajo çka i ndan me LDK-në, është historia e bashkëpunimit që e ka kjo parti me PDK-në.
Ai ka theksuar më tutje se “mendon se kjo është e tejkalueshme, nëse sot ata shfaqin vendosmëri për të ecur përpara, si dhe sinqeritet e besnikëri në bashkëpunimin me ne”.
“Kur je i vendosur për të ecur përpara, theksohet e përbashkëta. Kur frikësohesh nga ndryshimi ose je rehat në ‘status quo’, atëherë hulumton për të gjetur dallimet”, kishte thënë Kurti.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se partia e tij më VV-në, janë marrë vesh për formatin e punës që do ta shtyjnë përpara.
Ai në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se “jemi dakorduar që ekipet tona të punojnë në përafrimin e politikave sektoriale”.
Sipas tij, pavarësisht dallimeve në orientimin politik që e ka LDK-ja si parti e djathtë dhe VV-ja si pjesë e spektrit politik të majtë, nuk mungon hapësira për bashkëpunim.
“Ka qëllime të mira prej dy palëve. Mund të ndodhë që temat e rënda dhe me peshë, me u lënë në fund mu diskutu. Por, mund të diskutohen edhe paralelisht”, ka theksuar Haziri.
Ai ka thënë se partia e Ymerit duhet ta tregoj qasjen e saj nga figurës së ish- presidentit të LDK-së, Ibrahim Rugova, më pas të tregoj edhe për dosjet e ngritura ndaj ish- kreut të Prishtinës, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa.
Ndryshe, të enjten javës që lam pas, është mbajtur vazhdim seancën konstituive e Kuvendit të Kosovës, në të cilën përfaqësuesi i koalicionit fitues i zgjedhjeve PDK – AAK dhe Nisma (PAN), ka treguar se ata nuk i kanë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur shefin e legjislativit të Kosovës. Seanca e radhës ende nuk dihet kur do të mbahet, pasi që ka qenë kërkesë e PAN-it që kjo seancë të shtyhet edhe për disa ditë të tjera./Telegrafi/