Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ndodhet për vizitë në shtetin kroat.
Maqedoni në një postim në Faceboook shkruan se miqësia mes Kosovës dhe Kroacisë është e përjetshme sepse i ka themelet në historinë, vlerat dhe të ardhmen e përbashkët.
“Me ftesë të Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq sot vizitova Kroacinë ku zhvillova takim me Ministrin Anushiq.
Partneriteti dhe në veçanti bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë është në nivelin më të lartë.
Me Ministrin Anushiq shqyrtuam mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, diskutuam rreth situatës së sigurisë në regjion si dhe në nivel global. Ministrin Anushiq e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë-dimensionale nga Kroacia për Kosovën si dhe konfirmova vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike”, shkruan Maqedonci.
Ai bën të ditur se gjatë vizitës po ashtu nënshkruan marrëveshjen për shkollimin e kadetëve të FSK-së në Akademinë Ushtarake “Franjo Tugjman” e që rrit edhe më tej kapacitetet e Kosovës në mbrojtje dhe siguri. /Telegrafi/