Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me ftesë të homologes së tij, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se në takimin e zhvilluar mes dy palëve u ngritën çështje me interes të përbashkët për sektorin e bujqësisë së të dyja shteteve.
“Kosova dhe Shqipëria në sektorin e bujqësisë nuk janë shtete konkurruese sa janë komplementare. Gjatë gjithë vitit, qytetarët tanë, falë punës së palodhshme të bujqve tanë, mund të shërbehen me prodhime shqiptare”, tha ministri Peci.
Sipas tij, prodhimet bujqësore mbarëshqiptare me të cilat prodhuesit dhe agropërpunuesit eksportojnë përfaqësojnë Kosovën dhe Shqipërinë dinjitetshëm kudo në botë të udhëhequr gjithmonë nga cilësia.
Tutje, Peci bashkë me përfaqësuesit e sektorit të verëtarisë dhe vreshtarisë nga Kosova do të vizitojnë qytetin e Beratit ku pritet të takohen me homologët e tyre vendas dhe bashkërisht të vizitojnë bodrume të verës, duke intensifikuar bashkëpunimin e tyre me qëllim të shkëmbimit të përvojave në këtë sektor. /Telegrafi/