Site icon Telegrafi

Bashkë në jetë dhe në skenë, njihuni me tri vajzat e Merita Halilit dhe Raif Hysenit (Foto)

Prej vitesh, këngëtarja e njohur e muzikës popullore Merita Halili dhe bashkëshorti i saj, Raif Hyseni, jetojnë dhe punojnë në Amerikë.

Këtë verë ata janë rikthyer në Shqipëri për pushime, por edhe për t’u bërë pjesë e disa koncerteve të organizuar në qytete të ndryshme të vendit.

Pasditen e djeshme, Merita dhe Raifi kanë qenë të ftuar në programin “Rudina”, në TV Klan, ku kanë rrëfyer më shumë për aktivitetin e tyre në Amerikë, idenë e themelimit dhe funksionimit të Katedrës së Parë të Muzikës Shqipe në “Montclair State University” në New Jersey, por edhe për sakrificën që u është dashur të bëjnë gjatë viteve, në mënyrë që muzikën tradicionale shqiptare të mos e dëgjojnë dhe shijojnë vetëm bashkëkombësit tanë që punojnë e jetojnë përtej oqeanit, por pse jo, edhe vetë amerikanët ta çmojnë e vlerësojnë më shumë.

E gjithë jeta në skenë ka kërkuar, pa dyshim, edhe shumë sakrifica në familje, që për Meritën dhe Raifin nuk kanë qenë të pakta.

Tri vajzave, të cilat tashmë janë të rritura, u është dashur ta përballojnë mungesën e herëpashershme të prindërve në shtëpi.

Megjithatë, siç tregon Merita, ato janë kujdesur për njëra-tjetrën gjithmonë dhe sot ata janë prindër krenarë.

Në këto foto është e gjithë familja Hyseni: “Megi, vajza e madhe është 28 vjeç. Sot ajo është mësuese e fëmijëve me probleme, me autizëm. Si e madhja, Megi ka qenë gjithmonë një nënë e dytë për dy motrat sa herë që babi dhe mami ishin nëpër koncerte e aktivitete muzikore.

Vajza e dytë, Enxhi, është 21-vjeçare. Ajo vazhdon studimet për stomatologji, ndërsa e vogla, Rea, 14 vjeç, sapo ka mbaruar klasën e tetë”.

E pyetur nëse ndonjëra nga vajzat ka dëshirë të merret me muzikë si prindërit, Merita thotë se e vogla është ajo që ka treguar se është e talentuar.

Të tria vajzat duket se kanë marrë tiparet më të mira nga prindërit, por buzëqeshja e ëmbël e Meritës dhe sytë shkëlqyes janë dominuese te të tria.

Exit mobile version