Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se qytetarët shqiptarë janë të dëshpëruar, për shkak se opozita nuk është krye të detyrës.
Basha këto komente i bëri në një takim në mbledhjen e Kuvendit Zgjedhor në degën e PD-së në Vlorë.
Basha tha gjithashtu se të djathtët kanë qenë të zhgënjyer nga qeverisja e mëparshme e PD-së, por ai bëri thirrje për t’u bashkuar rreth kësaj force politike, për të çuar vendin drejt zhvillimit.
“Koha tregoi diçka tjetër, se forca e vërtetë e kësaj force politike nuk qëndroi kurrë tek njëshi, apo te dyshi apo te treshi. Me meritë apo pa meritë, siç me të drejt ka evidentuar analiza politike e këtyre muajve në degët e ndryshme të Shqipërisë.
Forca e vërtetë e Partisë Demokratike ka qenë gjithmonë motivi i bashkimit në këtë familje, që është t’i shërbejmë njerëzve, të jemi këtu me njerëzit dhe për njerëzit. Lidershipi i vërtetë i PD janë demokratët. Janë njerëzit të cilët i përkasin familjeve të mëdha të Vlorës, të cilët janë pronarët, të përndjekurit, intelektualëve, profesionistëve, përfaqësuesve të sipërmarrjes”, tha ai, njofton Euronews.al
“Dëshpërimi që ka kapluar vendin, nuk e ka gjenezën e vet vetëm tek keqqeverisja të cilës i ka mbaruar orët që para dy vitesh dhe të gjithë e dimë se në çfarë rrethanash kacavirren pas pushtetit. Dëshpërimi tek qytetarët vjen në radhë të parë nga prishja e drejtpeshimit politikë për shkak të mos qenies të opozitës shqiptare në krye të detyrës.
Sot me orë të tëra mund të rrimë se kush e ka fajin e kush jo. Fakti është se PD u mbërthye në një vorbull, demokratët u shtynë drejt një strategjie dobësimi të opozitës në themel të së cilës qëndronte urrejtja, linçimet, agresioni brenda llojit. Nëse kohën më të mirë të ditës e humb duke u zënë vëllai me vëllain, sigurisht që vuan familja. Në qoftë se zë ekranet, hapësirën sociale duke dëmtuar imazhin e PD, pasojat i paguajnë demokratët dhe shqiptarët”, ka thënë ndër të tjera, Basha. /Telegrafi/