Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte këtë të enjte i ftuar në një intervistë për Euronews Albania, ku tha se demokratët duhet të bashkohen për të zgjidhur problemet e krijuara në 12 vite.
Sipas tij pozita duhet të niset nga qëllimi për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, e për këtë Partia Demokratike është e hapur për bashkimin.
Basha tha gjithashtu se në dy vite e gjysmë, opozita dhe përçarja e saj, kanë ndihmuar kryeministrin Rama dhe qeverisjen e tij.
“Vija blu është të bashkohemi rreth një alternative që i jep shpresë dhe besim shqiptarëve që këta që pretendojnë të vijnë, nuk bëjnë thjesht rotacion karrigesh, por do zgjidhin problemet e bëra kapicë për 12 vite nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër. Nëse nisemi nga kjo dhe jo nga një këndvështrim i ngushtë personal, atëherë ka kaq shumë punë për të bërë.
Përditshmëria e shqiptarëve kudo që ta kapësh vuan pasojat e kësaj keqqeverisje. Agjenda sociale e Shqipërisë është më e mjeruara në 34 vite. Krahasojeni me Kosovën, nivelin e pensioneve, të arsimit, subvencionet e fermerëve. Ka kaq shumë për të bërë, nëse dalin nga kutia e lojës politike, ku është futur, duke ndihmuar edhe Edi Ramën dhe Partinë Socialiste ku opozita është dy vite e pak. Agjenda jonë politike në Partinë Demokratike, është kryesisht e fokusuar te kjo”,-tha Lulzim Basha.