Site icon Telegrafi

Barometri Botëror i Turizmit e rendit Shqipërinë në vend të parë në Europë, Rama: Kryesojmë për rritjen e numrit të vizitorëve

Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara ka publikuar Barometrin e Turizmit për periudhën janar-korrik 2024, në të cilën konfirmohet së Shqipëria renditet e para në Europë për rritjen e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me periudhën e para-pandemisë.

Të dhënat janë ndarë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se Shqipëria në nivel global renditet e dyta, pas Katarit.

“Sipas UNWTO, nga janari deri në korrik 2024, Shqipëria është 1 në Evropë për rritjen e vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me kohët para COVID-it, dhe 2 në nivel global, pak pas Katarit”, shkruan Rama në rrjetin social X.

Një tjetër risi në barometrin e turizmit publikuar nga UN Tourism, është se për herë të parë njihet rritja e të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar. Sipas barometrit për periudhën janar-korrik 2024, Shqipëria renditet e para sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me një rritje +128% krahasuar me periudhën e para-pandemisë.

Kjo nuk është hera e parë që UN Tourism, si organizata më e madhe botërore e turizmit, “certifikon” arritjet e industrisë së turizmit në Shqipëri, pasi edhe për vitin 2023 Shqipëria u rendit e katërta në botë për rritjen e flukseve ndërkombëtare në proporcion me popullsinë.

Në muajin prill, Organizata Botërore e Turizmit mbajti për herë të parë një event të nivelit të lartë në Tiranë, siç ishte Mbledhja e Komisionit për Europën, ku u prezantua gjithashtu edhe botimi “Doing Business in Tourism – Investing in Albania”, një botim i përbashkët i UN Tourism dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dedikuar investimeve në turizëm.

Sipas barometrit të UN Tourism, Evropa dhe Amerika rikuperuan 99% dhe 97% të flukseve ndërkombëtare të turistëve krahasuar me periudhën para pandemisë gjatë pjesës së parë të këtij viti, ndërsa Azia dhe Paqësori kanë treguar nivele më të ulëta rikuperimi me 82% të niveleve të vitit 2019. /Telegrafi/

 

Exit mobile version