Kërkesa për barnat për humbje peshe ka çuar vlerën e tregut të prodhuesit danez Novo Nordisk në rekorde të reja, pasi çmimi i aksioneve të tij është rritur gjithashtu me shpejtësi pasi kompania më e madhe evropiane publikoi rezultate më të mira se sa pritej në raportin e saj të fundit të fitimeve.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, firma që qëndron pas ilaçit për humbje peshe Wegovy dhe ilaçit për diabetin Ozempic ka raportuar se shitjet e saj u rritën me 31% dhe fitimi i saj neto u rrit me 51% në 2023 krahasuar me vitin e kaluar.
Në hapjen e bursës së Kopenhagës, aksionet e Novo u shitën për më shumë se 776 korona daneze, një rritje prej më shumë se 3%, duke e çuar përkohësisht vlerën e tregut të kompanisë përtej 500 milionë dollarëve.
Duke parë përpara, duket se dy produktet kryesore të kompanisë do të nxisin rritjen edhe më tej.
Ozempic, i cili përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2, dhe Wegovy, ilaçi për humbjen e peshës, janë shitësit kryesorë, që të dy përmbajnë të njëjtin përbërës aktiv që trajton humbjen e peshës.
Amerika e Veriut është tregu më i madh për kujdesin e Novo-s për obezitetin. Në vitin 2023 shitjet u rritën me 50%, dhe gjiganti farmaceutik danez po parashikon se ka vend për t’u rritur. /Telegrafi/