Gjatë fazës së fundit të afatit kalimtar veror, Barcelona bëri përpjekje për ta transferuar një mbrojtës të ri të djathtë.
Marc Pubill i Almerias ishte njëri prej objektivave kryesor, ani pse në fund situata financiare e klubit e bëri të pamundur që ata të nënshkruanin me dikë.
Sidoqoftë, përpjekjet e tyre do të rriten sërish në 2025, siç ka raportuar mediumi katalunas Sport. Hansi Flick dëshiron të ketë opsione në krahun e djathtë të mbrojtjes, përkundër faktit që ka Jules Kounde dhe Hector Fort në dispozicionin e tij.
Sipas raportimit, Tiago Santos është një prej lojtarëve që po ndiqet nga Barcelona, por jo edhe i vetmi nga ekipi i Lille, pasi thuhet që ata e kanë nën vëzhgim edhe Jonathan David i cili në 2025 do të mbetet lojtar i lirë.
Santos është një opsion që po pëlqehet shumë nga drejtuesit e klubit blaugranas, ani pse transferimi i tij do të varet nga gjendja e tyre financiare.
Pritshmëritë janë që Lille të kërkojë një shumë të konsiderueshme parash për 22-vjeçarin, kështu që nuk do të jetë aspak e lehtë për Barcelonën që të sigurojë shërbimet e tij./Telegrafi/