Site icon Telegrafi

Banorët e disa lagjeve në kryeqytet kanë mbetur pa ujë që nga e dita e premte, KRU “Prishtina” nuk jep asnjë sqarim

Banorët në kryeqytet janë duke u përballur me mungesë të ujit, në disa lagje raportohet se ka mungesë të ujit që nga ora 19:00.

Mungesë të ujit ka në lagjen Taslixhe dhe në një pjesë të lagjes 4 Llullat, më saktësisht rruga ‘Zejnel Salihu’.

Në redaksinë e Telegrafit banorët kanë paraqitur ankesat e tyre, derisa thonë se nuk kanë marrë asnjë njoftim nga KRU “Prishtina”, se pse ka ndodhur kjo ndërprerje.

Banorët thonë se kanë provuar që të komunikojnë përmes telefonit, por që personat përgjegjës nuk janë lajmëruar fare.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka kontaktuar edhe me KRU “Prishtina”, por që deri në publikimin e lajmit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Përveç ndërprerjes, banorët e kryeqytetit që furnizohen me ujë nga liqeni i Badovcit janë informuar nga IKSHPK, se uji nuk duhet të përdoret për konsum, por vetëm për higjienë.

“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhej në njoftimin e IKSHPK-së. /Telegrafi/

 

Exit mobile version