Banorët në qytetin e Ferizajt dhe të Lipjanit gjatë muajve të fundit janë përballur me pagesa më të larta të faturave të energjisë elektrike. Sipas banorëve faturat kanë shënuar një fryrje të çmimeve, ani pse në muajt e fillimit të dimrit kanë pasur të njëjtat pajisje dhe kanë shfrytëzuar të njëjtën energji elektrike.
Liridon Veseli nga Lipjani, ka thënë për Telegrafin se në muajin janar ka paguar gjithsejtë 94 euro ani pse një muaj më herët kishte paguar rreth 40 euro.
“Kjo çfarë ka ndodhur në muajin e fundit është shqetësuese jo vetëm për mua por edhe për shumë qytetar të tjerë sepse të paguajmë dy fish më shumë pagesa për rrymë brenda dy muajve, është e pa pranueshme. Personalisht kam bërë ankesë sepse nuk është e mundur të kem shpenzuar aq shumë rrymë derisa një muaj paraprak i kam pasur të njëjtat pajisje dhe e kam shpenzuar të njëjtën rrymë. Mendoj se kemi pasur fryrje të faturave, prandaj kërkojmë shqyrtimin e ankesave nga KEDS-i”, ka thënë Veseli. Sipas tij, KEDS-i nuk u është përgjigjur ankesave të tij.
Po ashtu edhe Ahmet Gashi nga Ferizaj, ka thënë se ka shpenzuar rreth 30 për qind më shumë në krahasim me muajin paraprak.
“Në nëntor dhe dhjetor ka qenë moti po thuajse i njëjtë sa i përket temperaturave, po ashtu i ngjashëm ka qenë edhe janari, andaj pse të kemi fatura kaq të larta”, ka thënë midis të tjerash ai.
Në anën tjetër KESCO-i, nëpërmjet një përgjigje i është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit lidhur me shqetësimet e banorëve.
“Faturimi i konsumatorëve bëhet gjithmonë në bazë të shpenzimit individual. Skema tarifore dhe çmimet e energjisë elektrike, janë të përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Por, padyshim nëse konsumatori është i pakënaqur atëherë, mund të paraqitet në pikën tonë më të afërt dhe t’i drejtohet me kërkesë për sqarime shtesë tek Kujdesi për Konsumatorë”, ka thenë nëpërmjet një përgjigjeve zëdhënsja e KESCO-S, Merita Rashiti./Telegrafi/