Site icon Telegrafi

Ballkani tashmë e di emrin e kundërshtarit për rrethin tjetër në Ligën e Konferencës – por pritet të ketë ndryshime të mëdha në skuadër

Ballkani ka kaluar në rrethin e tretë kualifikues për në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Skuadra nga Suhareka eliminoi Larnen me rezultat të përgjithshëm 7-1, për të siguruar kalimin në rrethin tjetër.

Dueli i sontëm në Belfast u mbyll 4-1 për kampionin e Kosovës, me golat e shënuar nga Nazmi Gripshi me dy, Albion Rrahmani dhe Almir Kryeziu.

Lexo po ashtu Ballkani shkatërron Larnen dhe kalon në rrethin tjetër të Ligës së Konferencës

Por, me kë do të përballet Ballkani në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës?

Skuadra kosovare do të ketë punë me Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, një kundërshtar i lehtë në letër.

Ky kundërshtar është i njohur, pasi në të kaluarën ishte përballur me Dritën dhe Prishtinën.

Ballkani ka ndërtuar një skuadër tejet cilësore, dhe shpreson që të shënojë fitore po aq të thellë edhe ndaj Red Imps, për të kaluar në rrethin e katërt.

Por, skuadra nga Suhareka mund të mbetet pa Albion Rrahmanin para kësaj përballje, pasi sulmuesi thuhet se do t’i bashkohet Rapid Bukureshtit.

Ilir Daja ka konfirmuar se edhe Ludogorets është i interesuar për disa lojtarë të tyre, andaj nëse do ketë më shumë se një largim nga Ballkani, atëherë do të ishte një mision i vështirë për ta që të arrinin në fazën e grupeve. /Telegrafi/

Exit mobile version