Site icon Telegrafi

Ballafaqimi i fabrikës së ëndrrave me realitetin e makthshëm

Pamje nga filmi “The Sum of all Fears”

“The Sum of all Fears” shpalos pasojat e sulmit terrorist të 11 shtatorit. Njëra prej tyre është konfuzioni, tjetra është domosdoshmëria e rishikimit të orientimit strategjik të politikës së jashtme amerikane, e cila, në fakt, është një politikë e brendshme e sigurisë që kalon kufijtë për t’u shndërruar në një “Monroe Doktrinë” të shekullit XXI: Amerika duhet të veprojë kudo në botë, ku rrezikohet siguria e saj.

Nga: Blerim Shala (shkrim i botuar për herë të parë më 2002, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”)

“The Sum of all Fears”, i regjisorit Phil Alden Robinsonit, me Ben Affleckun, Morgen Freemanin dhe James Cromwellin në rolet kryesore, po të shfaqej në Amerikë dhe në botë para një viti, do të ishte një film jashtëzakonisht i suksesshëm, i cili ndërtohet mbi teorinë e katastrofës nukleare dhe Luftës së Tretë Botërore që mund të shfarosë njerëzimin dhe shkatërron krejt botën.

Skema e përrallës

“The Sum of all Fears” (“Shuma e të gjitha frikave”), një vit më parë do të ishte një film i cili manipulon me një mundësi teorike e cila, megjithatë, nga perspektiva e vjetme do të dukej shumë larg realitetit. Për këtë shkak, Hollivudi do të mund të thoshte që e tëra kjo, në instancë të fundit, është argëtim dhe art dhe që nuk ka vend për shqetësim të madh.

Pas 11 shtatorit dhe sulmit terrorist të Al Qaedës së Bin Ladenit ndaj Amerikës gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht, kudo: Në Uashington, në Nju-Jork, në Bruksel dhe gjithsesi edhe në Hollivud.

Hollivudi kurrë nuk ka qenë i ballafaquar me sprovë më të madhe. Amerika dhe bota qëmoti janë të varur nga Hollivudi, por ky, si kurrë më parë, është i varur nga zhvillimet politike dhe historike të cilat nuk mund të injorohen. Pas 11 shtatorit, Hollivudi nuk mund të vazhdonte thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Kështu, skenat katastrofike, eksplodimet e të të gjitha llojeve, piroteknika e sofistikuar dhe kompjutorizuar, të cilat ishin njëra ndër shtyllat e Industrisë së argëtimit masiv, më nuk mund të përdoreshin pa u dhënë një kuptim, një domethënie e cila çonte kah konkludimi për ngadhënjimin mbi terrorizmin. “Fabrika e ëndrrave”, siç quhet zakonisht Hollivudi, u detyrua të përballet me realitetin e makthshëm.

Pas tmerrit të rrëzimit të binjakeve në WTC (World Trade Center), i cili ishte real e jo skenë filmi, tmerr ky që u transmetua drejtpërdrejtë në CNN dhe nuk ishte pjesë e një realiteti vituel kompjutoristik, Holivudi përballej me domosdoshmërinë e ndryshimeve të mëdha konceptuale. Amerikanët më nuk kishin distancë të qartë midis filmit dhe realitetit, midis argëtimit dhe njëmendësisë. Për këtë shkak, Warner Bros., njëra ndër kompanitë më të fuqishme filmike, menjëherë pas 11 shtatorit, vendosi të shtyjë për më vonë premierën e filmit “Collateral Damage”, me Arnold Schwarzenegerin në rolin kryesor. Në këtë film, zjarrfikësi u hakmerret terroristëve të cilët ia kishin vrarë familjen. Kur filmi nisi të emitohej, në pranverë tëkëtij viti, Schwarzeneger, në arsyetimin e shfaqjes së tij, theksoi që publiku amerikan dëshiron të shohë fitoren amerikane mbi terrorizmin. Përndryshe, në ndërkohë, filmat më të suksesshëm në botë ishin “The Lord of the Rings” dhe “Harry Potter”, të cilat janë përralla të ekranizuara. Skema e përrallës, duket që është më e pranueshme për Amerikën dhe Perëndimin në kohën e ballafaqimit me terrorizmin, të keqen më të madhe në historinë e re, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në përrallë, siç e dini, një rend i mirë prishet papritmas prej forcave të së keqes. Forcat e të mirës pastaj, ngadhnjejnë mbi to për të rivendosur rendin e mirë. Përrallat kanë gjithmonë Happy Endin.

Bomba që blehet për 400 dollarë e që shitet për 50 milionë dollarë

Por, t’i kthehemi filmit “The Sum of all Fears”. Ja përmbajtja e tij. Në vitin 1973, Izraeli papritmas sulmohet prej Egjiptit dhe Sirisë, të cilët në këtë mënyrë synojnë të kthejnë territoret e humbura në luftën e vitit 1967. Në ditën e dytë të luftimeve, Izraeli për herë të parë prej se është krijuar si shtet, ballafaqohet me rrezikun e disfatës në luftë. Për këtë shkak, një aeroplan dërgohet në vëzhgim, duke bartur me vete një bombë atomike, e cila duhet të shfrytëzohet nëse Izraelit nuk i mbetet gjë tjetër. Por, gjatë fluturimit, aeroplani goditet nga një raketë dhe rrëzohet në shkretëtirë. Bomba atomike, e mbuluar me rërë, zbulohet prej dy fshatarëve arabë, 29 vjet më vonë. Ngjarja tashti zhvillohet në vitin 2002.

Një kontrabandist me armë, i cili ka informatat paraprake për rrëzimin e aeroplanit izraelit, blen bombën për 400 dollarë dhe e stërshet për 50 milionë dollarë një grupi neonazist, i cili ka qëllime të qarta: Të përdorë këtë bombë për të sulmuar Amerikën, duke krijuar rrethana që për këtë sulm të akuzohet Rusia. Pasojat e këtij provokimi janë lehtë të parashikueshme: Amerika do të sulmonte Rusinë, Rusia do të mbrohej, do të shpërthente Lufta e Tretë Botërore dhe kështu, pas tmerrit bërthamor, bota do të sundohej prej neonazistëve. Edhe gjendja reale politike në raportet midis Amerikës dhe Rusisë i shkon për shtati këtij komploti të prirë nga një neonazist austriak. Në Rusi, pas vdekjes së kryetarit të vjetër i cili ishte gjithmonë i sëmurë (aludimet në Boris Jelcinin janë evidente), vjen një tjetër, i cili është shumë më energjik, por i cili nuk është shumë i qartë në politikën e tij karshi Amerikës dhe Perëndimit (edhe këtu mund të vizatohet Vlladimir Putin, trashëgimtari i Jelcinit). Ky, në mungesë të kontrollit të mirëfilltë mbi Armatën ruse, ballafaqohet me një problem të madh në Çeçeni, ku tre gjeneralë rusë prokomunistë, pa e pyetur fare atë përdorin armë kimike në luftë kundër çeçenëve. Në këtë sulm pësojnë shumë civilë çeçenë. Por, kryetari rus detyrohet t’i mbrojë gjeneralët e tij dhe deklaron publikisht që ai qëndron prapa këtij sulmi.

Uashingtoni këtu merr vendim që në Çeçeni duhet të dërgohen forca paqeruajtëse.

Në një atmosferë të tillë plot tensione, tre shkencëtarë rusë të cilët më nuk punojnë për Qeverinë e Rusisë, montojnë në Ukrainë fitilat në bombën atomike izraelite. Komplotistët pastaj dërgojnë bombën në Baltimore të Amerikës. Ajo duhet të eksplodojë në superfinalen e kampionatit amerikan në futboll (ragbi), në prani të mbi 70 mijë vetave dhe vetë Presidentit të SHBA-së dhe bashkëpunorëve të tij më të ngushtë. Pak para ekslodimit, kryeprotagonisti i filmit, një agjent i CIA-s dhe ekspert për çështjet ruse (të cilin e luan Ben Affleck), zbulon çfarë do të ndodhë dhe lajmëron shefin e tij (e luan Morgan Freeman) për të shpëtuar kështu Kryetarin e Amerikës. Por, bomba eksplodon: Shikuesit shohin kështu figurën e tmerreshme të “kërpudhës atomike” mbi Baltimore. Në vazhdim, Kryetari amerikan hypën në Air Force One prej ku komandon me situatën. Dyshimet shkojnë kah Moska, prandaj edhe urdhërohet sulmi me mjete konvencionale për të shkatërruar shumicën dërrmuese të arsenalit bërthamor të Rusisë. Amerika dhe bota kështu gjenden para skenarin apokaliptik, aq shumë të përmendur gjatë Luftës së Ftohtë, i cili në një rast vërtet ishte afër të bëhej realitet, gjatë krizës kubaneze të vitit 1962. Kjo krizë është ekranizuar denjësisht në filmin e parvjemë “Thirteen Days” të Roger Donaldsonit, me Kevin Costnerin në rolin kryesor.

Edhe një herë bota shpëton

Në “The Sum of all Fears”, falë një njeriu, Agjentit të CIA-s, i cili komunikon me e-mail me Kryetarin e Rusisë, bota shpëton. Te dy palët kuptojnë që kanë qenë pre të një grupi terrorist. Komplotisëst likuidohen pa gjyq, Amerika dhe Rusia nënshkruajnë marrëveshje të re bashkëpunimi dhe reduktimi të armëve bërthamore, filmi përfundon me një Happy End. Askund nuk përmenden sa viktima kishte Amerika nga sulmi atomik në Baltimore. Çeçenia nuk zihet më në gojë, as Izraeli dhe çështja arabe, prej ku nis krejt rrëfimi.

Edhe një herë pra një njeri shpëton botën, si në shumë filma të Hollivudit. Kësaj më vështirë që dikush i beson. Por, që një njeri i shoqëruar me fanatikë mund të bëjë kahre botën, këtë e kemi të ditur nga lajmet e ditës.

Një kallëzim me kaq detale i përmbajtjes së filmit “The Sum of all Fears” na duket që është shumë i rëndësishëm për të kuptuar intencën e tashme të këtij filmi. Është e qartë që filmi ka pësuar ndryshime të mëdha si pasojë e ngjarjeve të 11 shtatorit, gjegjësisht, nuk besojmë që intenca origjinale ka qenë kjo që tashti paraqitet. Në një anë, me sulmin atomik ndaj një qyteti amerikan, paralajmërohen rreziqet e reja në luftën terroriste kundër Amerikës dhe këtu, regjisori dhe producentët e filmit thuajse citojnë zyrtarët amerikanë. Në anën tjetër, regjisori dhe producentët qëllimisht anashkalojnë pasojat e shpërthimit të bombës atomike në një qytet të madh amerikan, sepse shikuesit do të mund të tmerroheshin me pasojat e një sulmi të tillë. Një kritik amerikan i filmit thotë që kjo është bërë sepse “The Sum of all Fears” nuk është më një triler, por “confirmer”, një konfirmues pra i rreziqeve reale të cilat i kanosen SHBA-së. Por, së fundit, Amerika ia del të ngadhënjejë në këtë luftë, falë edhe bashkëpunimit me Rusinë, armikun nr. 1 për 50 vjet me radhë i cili meritoi cilësorin “Perandori e së Keqes” (i fundit që përdori këtë klasifikim ishte Ronald Reagan, Kryetar i Amerikës në vitet 1980-1988).

Skema aktuale politike amerikane del pothuaj e fotokopjuar në filmin “The Sum of all Fears”: Lufta kundër terrorizmit është fillimi dhe fundi i kësaj politike. Në këtë luftë, Rusia është aleat, askush më nuk ka pse të shqetësohet për Çeçeninë, ndërsa në rastin e konfliktit midis Izraelit dhe Arabëve, Amerika nuk duhet të ketë rol shumë të rëndësishëm.

Por, ky konkludim, së paku nga perspektiva e filmit “The Sum of all Fears”, përgënjeshtrohet, logjikisht, me vetë skenat e para fillestare të filmit dhe rrjedhën e tij të mëtejme: Bomba problematike del si rezultat i luftës së papërfunduar midis Izraelit dhe vendeve arabe. Këtu gjendet “Molla e sherrit”. Ndoshta vlen të përmendet që në këtë rrëfim për bombën atomike izraelite e cila humbet në shkretëtirë, ka naivitet sa të duash dhe qasje që s’përkon fare me realitetin: Askush nuk mund të paramendojë që Qeveria Izraelite do të linte pa rimarrë, me të gjitha mjetet e mundshme, një bombë atomike e cila mund të bie në dorë të vendeve armiqësore të cilat pastaj mund ta përdorin për qëllime të veta. Ju kujtohet që Izraeli në vitete e tetëdhjeta pat bombarduar reaktorët nuklearë në Irak, i shqetësuar për mundësinë që Iraku të prodhojë bombë atomike. Naivitet të ngashëm ka edhe kur përshkruhet raporti midis Uashingtonit dhe Moskës etj.etj.

Por, duket që “The Sum of all Fears”, edhe në këtë mënyrë, shpalosë pasojat e sulmit terrorist të 11 shtatorit. Njëra prej tyre është konfuzioni, tjetra është domosdoshmëria e rishikimit të orientimit strategjik të politikës së jashtme amerikane, e cila, në fakt, është një politikë e brendshme e sigurisë që kalon kufijtë për t’u shndërruar në një “Monroe Doktrinë” të shekullit XIX: Amerika duhet të veprojë kudo në botë, ku rrezikohet siguria e saj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version